Maqedoni

Prioritetet reformuese, euroambasadori Zhbogar në Ministrinë e Financave

07.06.2017 16:52

Prioritetet dhe reformat të cilat duhet t'i zbatojë Republika e Maqedonisë në drejtim të proceseve eurointegruese dhe përmirësimit të koordinimit....

Prioritetet dhe reformat të cilat duhet t'i zbatojë Republika e Maqedonisë në drejtim të proceseve eurointegruese dhe përmirësimit të koordinimit, për dobi dhe shfrytëzim më të madh të Fondeve Europiane IPA, ishin temë e takimit të ekipit ekonomik të Ministrisë së Financave me delegacionin e Komisionit Europian të kryesuar nga ambasadori, Samjuel Zhbogar. Nga Ministria e Financave informojnë se nga përfaqësuesit e KE-së është shprehur mbështetje për prioritetet reformuese të Qeverisë në drejtim të integrimit të vendit në BE.
 
"Theks i veçantë i është vënë sjelljes së strategjisë për menaxhim me financa publike. KE i përshëndeti angazhimet e Ministrisë së Financave për sjelljen sa më të shpejtë të këtij dokumenti të rëndësishëm, ku prioritet do të jenë konsolidimi fiskal dhe transparenca në publikimin e të dhënave të buxhetit. Njëherësh, KE vazhdon me mbështetjen në drejtim të fillimit të ciklit të ri për përgatitjen e programit për reforma ekonomike, e cila është një prej dokumenteve bartëse në procesin parainkuadrues të Republikës së Maqedonisë",- thuhet në kumtesë.
 
Në takim të dyja palët e kanë vërtetuar angazhimin e qartë të Maqedonisë për anëtarësim në Bashkimin Europian. 
 
Ndërkohë, kryeministri Zaev ka pritur sot ambasadorin francez, Timonie, të cilit i ka deklaruar se përkushtimi i Qeverisë do të jetë në reformat, politikat gjithëpërfshirëse dhe transparenca, si vlera demokratike europiane.
 
FARIJE DAUTI-BAKIJU