Maqedoni

Shkarkimi i Zvrlevskit, Anevski: ende nuk e kemi marrë propozimin e qeverisë

07.06.2017 17:15

Propozimi i qeverisë për shkarkimin e kryeprokurorit, Zvrlevski, ende nuk ka mbërritur në Këshillin e Prokurorëve Publikë...

Këshilli u mblodh sot për të diskutuar për shpalljen e konkursit për prokurorë  javën e ardhshme. 
 
“Ende nuk e kemi marrë, tani kontrollova dhe nuk na ka arritur asgjë nga qeveria dhe në qoftë se brenda ditës arrin, do të jeni të informuar. Këshilli solli vendim se në fillimin e javës së ardhshme do të shpallim konkurse për të gjithë prokuroritë publike në RM për përzgjedhjen e prokurorëve publikë, vendime për njoftim të konkursit për përzgjedhjen e prokurorëve publikë. Sipas mendimit tim, do të ketë rreth 15 prokurorë publikë që duhet të konkurrojnë dhe duhet të zgjidhen, por së pari duhet të ketë njoftim të konkursit”,- deklaroi kryetari i Këshillit të Prokurorëve Publikë, Petar Anevski.
 
Në pyetjen e gazetarëve se a do ta respektojë afatin ligjor prej 15 ditëve për të dhënë mendimin në qeveri, Anevski u përgjigj se do t’i respektojë afatet ligjore, por pasi ta pranojë iniciativën për shkarkimin e Zvërlevskit.
 
Zvrlevski, për të cilin dje qeveria vendosi të ngre iniciativë shkarkimi për shkak të moskryerjes së punës në mënyrë profesionale dhe ligjore, mori pjesë në seancën e Këshillit, por nuk dha asnjë deklaratë.
 
BELINDA KOKA-ADEMI