Maqedoni
Kontesti rreth emrit, Baily: është mirë të bisedohet, ju përkrahim; Reformat urgjente, Baily: unitet nacional për të ecur përpara
07.06.2017 17:35
Kryeministri, Zoran Zaev, ka zhvilluar një bisedë telefonike me kryeministrin grek, Aleksis Tscipras...

Kryeministri, Zoran Zaev, ka zhvilluar një bisedë telefonike me kryeministrin grek, Aleksis Tscipras, në të cilën është diskutuar çështja për emrin dhe mundësitë për zhvillimin e marrëdhënieve bilaterale.
Tscipras në bisedë ka përsëritur pozitat greke në lidhje me kontestin me emrin, ndërkaq është diskutuar edhe për perspektivat e Maqedonisë për pranim në Bashkimin Europian dhe NATO.
Komunikimi i parë mes dy kryeministrave është përshëndetur nga ambasadori amerikan, Jess Baily.
Në lidhje me kontestin e emrit që po e mban të bllokuar procesin e integrimit të Maqedonisë në NATO dhe BE, Baily tha se ShBA-të mbështesin një zgjidhje të pranueshme mes dy vendeve pa saktësuar se cila mund të ishte ajo zgjidhje.
“ShBA-të gjithmonë kanë mbështetur atë që është në Marrëveshjen e Samitit të Bukureshtit, se ne do ta përkrahim një zgjidhje të përbashkët për atë çështje. Pra, nuk do të them se cila është ajo zgjidhje. Mendojmë se është mirë që Maqedonia ka bisedime me Greqinë dhe me fqinjët tjerë që do t’i sjellin vetëm përfitime. Nuk do të them se cilat do të jenë rezultatet e këtyre bisedave, kjo u takon partnerëve ta thonë. Unë mund të them se ShBA-të mbështesin fuqishëm aspiratat për anëtarësim në NATO dhe BE”,- deklaroi ambasadori i ShBA-ve në RM, Jess Baily.
Baily, ndërkohë, porositi qeverinë e re të fokusohet në zbatimin e reformave prioritare që do të garantonin sundimin e ligjit.
“I gjithë procesi reformues që është identifikuar, reformat në sundimin e ligjit dhe në sferat tjera janë shumë të rëndësishme paralelisht me këtë proces. Po tentojmë të diskutojmë me qeverinë e re për këtë dhe gjithë pjesëtarët e shoqërisë, ta përfshijmë edhe opozitën gjithashtu. Këto janë çështje që do t’i përfshijnë të gjithë në vend dhe do të kërkojnë unitet nacional për të ecur përpara”,- tha ambasadori i ShBA-së në Shkup, Jess Baily.
Sipas tij, procesi i reformave është shumë i rëndësishëm për të ardhmen e vendit.
GAZMEND KURTISHI
