Maqedoni
Ndarja e posteve në ekzekutiv, bisedohet për pozicione, jo për emra
07.06.2017 18:07
Vazhdojnë bisedimet mes partive politike të koalicionit qeverisës për ndarjen e posteve të eshalonit të dytë dhe të tretë...

Grupet e punës edhe sot kanë diskutuar në parim ndarjen e posteve të mbetura nëpër dikastere të ndryshëm, por jo edhe për emra konkretë të kuadrove të partive përkatëse.
Burime brenda partive thonë se pas koordinimit të grupeve të punës, fjalën e fundit për postet në eshalonin e dytë dhe të tretë të qeverisë së re do ta kenë kryetarët e partive shqiptare, Ali Ahmeti dhe Ziadin Sela, si dhe kryeministri, Zoran Zaev.
Jozyrtarisht mësohet se bisedimet për eshalonët e dyta dhe të treta mes kryeministrit Zaev dhe partnerëve të tij ecin në drejtimin që pala shqiptare të ketë gjashtë zëvendësministra dhe shtatë sekretarë shtetërorë, gjegjësisht katër zëvendësministra për BDI-në dhe dy për Aleancën për Shqiptarët, ndërkaq nga postet e sekretarëve shtetërorë pesë do t’i takojnë BDI-së dhe dy Aleancës për Shqiptarët.
Edhe në këtë mandat, siç duket, do aplikohet parimi që zëvendësministrat shqiptarë të jenë në ato ministri ku drejtohen nga ministra maqedonas dhe anasjelltas për të mundësuar bashkëpunimin dhe kontroll të ndërsjellë.
Nëse përfundimisht partitë dakordohen për këtë parim, atëherë rezulton që në MPB, në MM, atë të Financave, Arsimit, Transportit dhe Politikës Sociale do të ketë zëvendësministra shqiptarë.
Konform rrjedhës së bisedimeve të deritanishme, partitë politike nuk presin të ketë mospajtime për çështje, madje vetë kryeministri Zaev ka deklaruar se nuk pret pengesa në lidhje me postet e zëvendësministrave dhe drejtorëve të institucioneve.
SHPËTIM NUREDINI
