Maqedoni
Tarraca e selisë së VMRO-DPMNE-së, Zhernovski: është ndërtim pa leje, do rrënohet
07.06.2017 18:27
Kryetari i komunës Qendër, Andrej Zhernovski, thotë se tarraca e objektit të selisë partiake të VMRO-DPMNE-së...

Kryetari i komunës Qendër, Andrej Zhernovski, thotë se tarraca e objektit të selisë partiake të VMRO-DPMNE-së është ndërtim pa leje dhe si e tillë ajo do të rrënohet.
Kreu i Qendrës ka akuzuar qeverinë e kaluar se me ndryshimet e shpejta ligjore ka pamundësuar që komuna që ai drejton të ndalojë ndërtimin e fasadave barok dhe vendosjen e përmendoreve. Sipas tij, përballja me pasojat e projektit “Shkupi 2014” nuk do jetë e lehtë. Zhernovski pret që Qeveria e re t’ua kthejë kompetencat ligjore.
“Ne nga Fakulteti i Arkitekturës kemi siguruar dëshmi plotësuese se nuk bëhet fjalë për tarracë të rëndomtë, por për një pjesë të objektit i cili shfrytëzohet si ballkon. Tani kemi qeveri të re dhe kur të largohen këto pengesa dhe kur ministri i Transportit dhe Lidhjeve do ta refuzojë kërkesën e tyre dhe do ta pranojë tonën, apo nëse dëshironi, kur të merret Qyteti i Shkupit, ajo do duhet të rrënohet pasi është ndërtim pa leje. Asgjë nuk është bërë e re nga “Shkupi 2014”, por vazhduan me fasadat. Normalisht, qytetarët pyesin se si është e mundur, kur premtuat se do t’i ndaloni. Fasadat vazhduan sepse kishte ndryshime të ligjit dhe nga ai moment vendoste Qyteti i Shkupit e jo komunat. Sa i takon përmendoreve, të rejat që u vendosën u vendosën në ato segmente që janë nën kompetencë të Qytetit të Shkupit, ku veç më ishte votuar plani i detajuar urbanistik dhe ne aty nuk kishim mundësi të reagojmë”,- deklaroi kryetari i komunës Qendër, Andrej Zhernovski.
BESIM ABDULLAI
