Maqedoni

Dhuna në Kuvend, MPB analizon lëshimet, suspendohen dy kryeshefa

08.06.2017 13:55

Ministri i ri i Punëve të Brendshme, Oliver Spasovski, ka lëshuar urdhrin për suspendimin e Goran Georgievskit, kryeshefit të Shërbimeve Qendrore Policore...

Ministri i ri i Punëve të Brendshme, Oliver Spasovski, ka lëshuar urdhrin për suspendimin e Goran Georgievskit, kryeshefit të  Shërbimeve Qendrore Policore, si dhe të Mitko Peshov, kryeshefin e njësiteve speciale, për shkak të lëshimeve gjatë ngjarjeve të 27 prillit në Kuvend.

Janë lëshuar urdhra edhe për suspendimin e dhjetëra punonjësve të tjerë policorë, që nuk kryen detyrat e tyre në ditën e dhunës ndaj deputetëve.

“Në bazë të analizave të gjendjes faktike është konstatuar  se, gjatë aktiviteteve të përfaqësuesve të MPB-së, në sigurimin e Kuvendit janë bërë lëshime në procesin e grumbullimit të informatave, ka pasur mungesë të analizave adekuate, lëshime në planifikimin e resurseve, vlerësimin e rreziqeve, zbatimin e kompetencave policore si dhe në  zbatimin e  ingerencave policore. Lëshime janë konstatuar edhe në pjesën e sjelljes etike dhe profesionale të nëpunësve policorë të cilët kanë kryer detyrën e tyre para dhe pas ngjarjes”,- thuhet në raportin e përgatitur për konstatimin e gjendjes faktike të ngjarjeve të 27 prillit në Kuvendin republikan, ku turma e protestuesve u lejua të hyjë në Parlament e të sulmojë fizikisht deputetët.