Maqedoni
Hahn: tregu i përbashkët i Ballkanit, ide e mirë
08.06.2017 16:07
Krijimi i një tregu të përbashkët në të cilin do të merrnin pjesë vendet e dikurshme të ish-Jugosllavisë, si dhe Shqipëria dhe Kosova...

Krijimi i një tregu të përbashkët në të cilin do të merrnin pjesë vendet e dikurshme të ish-Jugosllavisë, si dhe Shqipëria dhe Kosova, do të ishte mundësi e mirë për të krijuar stabilitet, paqe dhe vazhdim të eurointegrime të vendeve të këtij rajoni.
Eurokomisioneri për zgjerim, Johanes Hahn, që po merr pjesë në Forumin e klimës investuese BE-Ballkani Perendimor në Beograd, tha se 20 milion njerëz është një treg shumë tërheqës për investime, që do të krijojë vlera shtesë për mallra dhe shërbime, më shumë vende pune dhe më shumë investime, tha Hahn.
“Sot, rajoni është i fragmentuar dhe më pak tërheqës për investime. Nëse themelohet një treg i vetëm, rajoni do të jetë më tërheqës dhe kjo do të thotë më shumë vende pune, rezistencë më e madhe ndaj sfidave. Por, nëse dikush mendon se me ketë do të largohet vëmendja për perspektivën europiane, gabohet. Kjo është një parapërgatitje e rajonit për qasje në Bashkimin Europian dhe në tregun e vetëm ku do të ketë vlera të mëdha”,- deklaroi komisioneri për zgjerimin e BE-së, Johanes Han.
Dakordësi për një treg të përbashkët dhanë edhe përfaqësuesit e vendeve të Ballkanit Perendimor.
"Ne të gjithë jemi të vegjël në rajonin e Ballkanit Perëndimor, nëse arrijmë që të formojmë një treg të vetëm, kjo do të thotë më shumë investitorë për të gjithë ne në rajon. Atëherë mendoj se ne do të mund të marrim më shumë nga se kemi sot”,- tha presidenti i Serbisë, Aleksander Vuçiç.
“Është me rëndësi t’i ndjekim këto reforma strukturore dhe masat që rekomandohen për korrigjime në vende të ndryshme, sepse ka rekomandime dhe masa të ndryshme që duhet të realizohen dhe ky do të jetë dhe çelësi për integrimin e Maqedonisë në Bashkimin Europian dhe në tregun e vetëm të Bashkimit Europian”,- u shpreh kryetarja e LOEM-së, Daniela Arsovska.
I pyetur në lidhje me "Planin Marshall" të BE-së për Ballkanin Perëndimor, eurokomisioneri Hahn tha se ky plan tregon "përkushtimin e shteteve anëtare, posaçërisht të Gjermanisë për investime dhe angazhim të mëtejshëm në rajon", dhe jo shkëmbim për anëtarësim në BE.
GAZMEND REXHEPI
