Maqedoni
Vërshimet në Poroj, ujësjellësi u rregullua, punohet për rrugën
08.06.2017 17:40
Vazhdon edhe më tej të jetë rruga e bllokuar Tetovë - Jazhincë pas vërshimeve të së hënës...

Janë pastruar ndërkohë rrugët dytësore dhe punohet intensivisht në rregullimin e një ure të përkohshme.
Tashmë prej mbrëmë është riparuar ujësjellësi, por autoritetet lokale thonë se uji nuk është i pijshëm, por është vetëm ujë teknik.
“Mbrëmë e rregulluam sistemin e ujit, edhe pse nuk është për t’u pirë, është ujë teknik, por kryesorja është pasi gjithë banorët e fshatit janë furnizuar me ujë. Kemi filluar sot me një urë mobile të bëjmë deri sa të përgatitet ura tjetër. Gryka e lumit dhe problemi më i madh, pjesa poshtë e tokës bujqësore atje, ende nuk po arrijmë të hapim atë, pasi ka shumë baltë, nuk arrijnë ekskavatorët tek vendi”,- tha kryetari i Bashkësisë Lokale - Poroj, Ramadan Sulejmani.
Sipas banorëve problem mbetet fusha bujqësore.
“Ura bëhet vetëm urë kalimi, e përkohshme, materialin e një pjese të madhe e bie komuna, kurse diçka që kemi harruar të shënojmë do mbulojmë vetë, dhe pjesën e punës e bëjmë vet ne banorët. Fusha është tepër e dëmtuar, sot kanë dalë në terren të shohin sa është e dëmtuar fusha”,- u shpreh një banor.
“Sa e mbaj mend unë pesë herë ka ardhur, kemi pasur dëme shumë, gjitha fushat mbusheshin me ujë”,- tha një banor.
Nga Qendra për Menaxhim me Kriza theksuan se janë duke punuar në tre pika kryesore, por më vështirë, sipas tyre, është depërtimi në pjesën e poshtme të fshatit tek të mbjellat bujqësore.
“Për momentin Drejtoria për Mbrojte dhe Shpëtim në bazë të vendimit të qeverisë ka të angazhuar 22 kamionë dhe dhjetë makineri të rënda. Punojmë në tre pika kryesore, një pikë e kemi këtu në pjesën rrugore Tetovë - Jazhincë, në pjesën tjetër tek ura atje vetëm më i kemi sanuar dëmet dhe e treta, tek fusha. Ka shumë baltë dhe nuk mund të veprohet menjëherë”,- deklaroi Arif Arifi nga Drejtoria për Menaxhimin me Kriza.
Ndryshe nga ditët e tjera, sot në Poroj kishte më shumë makineri dhe po punohet më intensivisht për të zhbllokuar rrugën. Qeveria në mbledhjen e fundit solli vendim që t’u dilet në ndihmë banorëve të Porojit, që sa më shpejtë në atë fshat të kthehet normaliteti.
Të gjithë ata që kanë pasur dëme bujqësore mund që kërkesat e tyre t’i parashtrojnë në Njësinë Rajonale të Ministrisë së Bujqësisë, e cila gjendet në objektin e komunës së Tetovës.
VISAR SADIKI
