Botë

ShBA rrëzon dronin sirian, qëlloi forcat e koalicionit

09.06.2017 13:10

Shtetet e Bashkuara kanë njoftuar se kanë rrëzuar një dron proqeveritar në Siri, pasi ky i fundit sulmoi forcat e koalicionit...

Avioni i telekomanduar, i armatosur, ishte duke fluturuar pranë një zone të çmilitarizuar në juglindje të vendit, shumë pranë kufijve me Jordaninë dhe Irakun.

Një zëdhënës i ushtrisë amerikane tha se kjo ishte hera e parë që njësitë proqeveritare siriane kanë sulmuar forcat e koalicionit të udhëhequr nga Shtetet e Bashkuara.

Megjithatë, asnjë anëtar i forcave të koalicionit nuk është dëmtuar nga ky sulm. Incidenti ndodhi pranë pikës ndërkufitare al-Tanf, mes Sirisë dhe Irakut, që është bërë së fundi një nga pikat kyçe të konfliktit.