Maqedoni

Përfundoi viti shkollor, nxënësit në pushim veror

09.06.2017 14:09

Për rreth 270 mijë nxënës, prej të cilëve 188 mijë të shkollave fillore dhe 80 mijë të shkollave të mesme...

Për rreth 270 mijë nxënës, prej të cilëve 188 mijë të shkollave fillore dhe 80 mijë të shkollave të mesme, sot ishte dita e fundit e këtij viti shkollor.
 
Për dallim nga vitet e kaluara, këtë vit nxënësit nuk shkojnë në shtëpi me ankthin se çfarë rezultate do të marrin nga testimi ekstern, pasi i njëjti pas formimit të qeverisë së re u anulua. 
 
“Sot ka qenë dita e fundit për ne dhe kemi kaluar një ditë shumë të mërzitur, sepse është dita e fundit. Këtë vit nuk kemi pasur testim ekstern dhe shpresojmë se nuk do të kemi edhe viteve të tjera”,- u shpreh një nxënës. 
 
“Më shumë përshtypje të mirë na ka lënë se nuk kemi bërë testim ekstern dhe kemi qenë më të relaksuar këtë vit, për dallim nga të tjerët, dhe për këtë jemi gëzuar të gjithë së bashku”,- theksoi një nxënëse. 
 
“Jemi shumë të mërzitur që po mbaron ky vit shkollor, por shpresojmë tani se vitin tjetër do të kemi një vit sa më të mirë shkollor dhe do të më mungojnë shumë arsimtarët të cilët kanë qenë gjithmonë me ne”,- tha një nxënës. 
 
Por, gjysmëmaturantët nuk do të mund të rrinë të qetë, pasi këtë muaj i pret regjistrimi në shkollat e mesme.
 
Afati i parë i regjistrimit do të realizohet më 28 dhe 29 qershor, informojnë nga MASh-i, ndërsa me 10 qershor ata do të testohen për gjuhë të huaja, për të cilat për gjuhë  angleze janë paraqitur një numër i madh i kandidatëve, 15.201 kandidatë, për frëngjisht 108, gjermanisht 197 dhe për gjuhë ruse 26 kandidatë.
 
Pushimi vjetor i nxënësve të shkollave fillore dhe të mesme do të zgjasë deri më 4 shtator të këtij viti. 
 
REXHEP QAMILI