Botë

Britani e madhe, May humb shumicën, Brexit në udhëkryq

09.06.2017 14:47

Partia Konservatore e Theresa May ka humbur shumicën parlamentare pas zgjedhjeve të përgjithshme të së enjtes në Britani...

Partia Konservatore e Theresa May ka humbur shumicën parlamentare pas zgjedhjeve të përgjithshme të së enjtes në Britani, duke u detyruar të lëshojë 17 vende në Parlament.
 
Rezultati shokues për kryeministren ka sjellë një avancim të laburistëve në opozitë.
 
Ashtu si ish-kryeministri Cameron, edhe kryeministrja May kërkoi votim publik pa ia kërkuar askush, për të përjetuar një bumerang spektakolar për karrierën e tyre politike ndaj rezultati konsiderohet poshtërues për të.
 
Rezultati rrezikon të çorientojë planet e largimit nga Bashkimi Europian, duke kërcënuar ta lërë Britaninë pa organizim vetëm disa ditë përpara fillimit të bisedimeve me liderët europianë mbi kushtet e Brexit-it.                    
                                                               
“Thereza May do ta ketë të vështirë të ruajë pozicionin e kryeministres dhe tashmë ajo që do ndodh me Brexit, do të jetë interesante. Ndoshta do jetë fundi i një Brexiti të dhimbshëm dhe do të shohim diçka tjetër”,- tha një qytetar. 
 
“Tani ne nuk do jemi më një shtet stabil e i fortë”,- theksoi një qytetar. 
 
“Nëse May dorëhiqet, gjërat do bëhen të pasigurta. Konservatorët duhet të zgjedhin një lider të ri, për momentin është çmenduri totale, por do shohim”,- u shpreh një qytetar.        
        
Por, edhe përkundër zërave që kërkojnë largimin e saj, duket se kryeministrja nuk ka ndërmend të dorëhiqet.                                                                                                  
“Do të vazhdoj të punoj në të mirë të të gjithëve, si kam bërë deri tani. Do të vazhdoj të punoj për të përmirësuar jetën e qytetarëve në Britaninë e Madhe”,- deklaroi kryetarja e partisë konseratore, Theresa May.
 
Ashtu si me rezultatin e referendumit për Brexit, edhe me këto zgjedhje të parakohshme, votuesit britanikë duket se po e shndërrojnë në sport kombëtar paparashikueshmërinë elektorale. 
 
Për kryeministrin francez, Edouard Philippe, vendimi befasues i popullit britanik nuk e vë megjithatë në pikëpyetje daljen e vendit nga BE-ja.
 
Për gjermanët, goditja ndëshkuese e publikut britanik ndaj kryeministres, të cilës i mohoi një mandat më të fortë, do t’i bëjë bisedimet e Brexit-it akoma më të vështira e më komplekse.
 
Reagimet e vetë shtypit britanik kanë qenë të forta, me tituj si ai i “The Sun” që ndryshonte mbiemrin e kryeministres, duke e quajtur Theresa Dismay, apo Tereza Frika, duke iu referuar drojës së britanikëve nga Brexit. 
 
MIGENA GORENCA