Maqedoni

Nikollovski: ndryshime në programin për përkrahje të bujqve; Nikollovski: vërshimet në Tetovë dëmtuan mbi 50 hektarë sipërfaqe bujqësore; Bujqit: të sanksionohet keqpërdorimi i subvencioneve

09.06.2017 15:35

Kjo është ministri e bujqve dhe do të jemi të kapshëm për gjithçka që është i interesuar secili bujk...

Kjo është ministri e bujqve dhe do të jemi të kapshëm për gjithçka që është i interesuar secili bujk, deklaroi ministri i Bujqësisë, Lupço Nikollovski, pas takimit me përfaqësuesit e shoqatave dhe federatave të bujqve.
 
Ai njëherit paralajmëroi zhbllokimin e pagesës së subvencioneve dhe masa shtesë në mbështetje të bujqësisë, siç është aplikimi i naftës së gjelbër.        
                                                    
“Ne fillojmë me procedurën për ndryshimin e programit për përkrahje direkte të bujqësisë. Një nga masat kyçe është aplikimi i naftës së gjelbër, naftë më e lirë për të gjithë bujqit, për çka kam dhënë instruksione për të filluar procedurat formale juridike. Do t’i iniciojmë ndryshimet që kanë të bëjnë me rritjen e subvencioneve për bujqit. Në programin e qeverisë reformatore është theksuar qartë se në periudhën e ardhshme subvencionet në programin për mbështetje direkte të bujqësisë do të arrijnë në 160 milion euro”,- theksoi ministri i Bujqësisë, Lupço Nikollovski.                                                                                                                               
Pjesë e ndryshimeve në programin për mbështetje direkte do të jenë edhe masat urgjente për vlerësimin e dëmeve të shkaktuara nga vërshimet në rajonin e Tetovës.              
                                                                                                                  
“Isha personalisht në rrethin e Tetovës dhe menjëherë formuam komisione që bëjnë vlerësimet e para për dëmet e shkaktuara në prodhimet bujqësore. Bëhet fjalë për mbi 50 hektarë sipërfaqe. Iniciuam seancë urgjente të qeverisë në të cilën u sollën vendimet dhe konkluzat e domosdoshme, me qëllim që të sigurohet naftë, të fillojnë dhe përshpejtohen procedurat për vlerësimin e dëmeve në bujqësi. Janë formuar edhe komisione në kuadër të njësisë rajonale në Tetovë të cilat po ashtu shumë shpejtë e kanë kryer punën e tyre”,- tha ministri i Bujqësisë, Lupço Nikollovski.                                                                                                             
Nga ana tjetër, shoqatat e bujqve mirëpresin rritjen prej 20 milion euro të mjeteve për subvencione, por ata theksuan nevojën që të monitorojnë procesin e ndarjes së subvencioneve që ato të shkojnë te bujqit e vërtetë dhe kërkojnë sanksionimin e atyre që keqpërdorin subvencionet.                                                                                      
“Të gjitha mjetet duhet të dedikohen për atë që është paraparë, gjithçka që është bërë kriminalitet, që janë vjedhur paratë e dedikuara për bujqit, të sanksionohen apo të marrin dënime meritore”,- theksuan nga Shoqata e bujqve. 
 
Ministri Nikollovski paralajmëroi se informatat për keqpërdorim eventual të subvencioneve gjatë viteve të kaluara do të publikohen pas analizës së hollësishme në këtë ministri. 
 
GYLTENE SINANI