Maqedoni
Rasti “Talir”, dëshmojnë në PPS anëtarë të VMRO-DPMNE-së
09.06.2017 16:12
Sekretari i përgjithshëm i VMRO-DPMNE-së, ish-kryeministri i Qeverisë teknike, Emil Dimitriv, dhe deputetja, Daniela Rangelova...

Sekretari i përgjithshëm i VMRO-DPMNE-së, ish-kryeministri i Qeverisë teknike, Emil Dimitriv, dhe deputetja, Daniela Rangelova, janë paraqitur para Prokurorisë Speciale lidhur me rastin “Talir”.
Ata me këtë rast kërkuan qasje në dëshmitë që posedon PPS, që më pas të deklarohen për rastin.
Edhe pse ka pranuar ftesën e PPS-së për të dëshmuar, Rangelova deklaroi se nuk ndjehet fajtore në këtë rast.
Ndërsa Dimitriev deklaroi se nuk do që t’i komentojë arsyet e hetimit të PPS-së në rastin “Talir” dhe financimin e paligjshëm të partisë.
“U thirra në cilësinë e të dyshuarit. Kërkova nga PPS të kem qasje në dëshmitë, pasi t’i marr dëshmitë atëherë do të deklarohem për akuzën. Ta lëmë procedurën të rrjedhe në institucione”,- deklaroi ish-kryeministri teknik, Emil Dimitriev.
“Jam e dyshuar për organizimin e grupit, për plotësimin e fletëpagesave 2010, grupeve të caktuara që kanë donuar mjete. Unë jam e dyshuar se i kam organizuar në Komitetin komunal Qendër 2010, ku unë nuk kam pasur funksion, por kam qenë vetëm anëtare e Komitetit. Unë nuk kam plotësuar dhe nuk kam paguar, ka ekspertë dhe do të vërtetohet kjo”,- u shpreh deputetja e VMRO-DPMNE-së, Daniela Rangelova.
Para Prokurorisë Speciale është paraqitur edhe ish-ministri i Transportit dhe Lidhjeve, Mile Janakievski.
Për rastin “Talir”, Specialja dyshon te ish-kryeministri, Nikolla Gruevski, dhe dhjetëra persona të tjerë për larje parash dhe financim ilegal të VMRO-DPMNE-së.
Të dyshuarit, Nikolla Gruevski, Ilija Dimovski, Martin Protugjer dhe Kirill Bozhinovski nuk do të paraqiten sot në Prokurorinë Speciale për shkak se nuk kanë pranuar thirrje nga kjo Prokurori.
FLORIJE BELULI-KAMBERI
