Maqedoni
Ende e bllokuar rruga Jazhincë –Tetovë, banorët kërkojnë ndërtimin e digave mbi lum
09.06.2017 16:59
Pesë ditë pas vërshimeve, ende rruga kryesore Tetovë –Jazhincë është e bllokuar...

Makineritë dje dhe sot janë duke punuar në mënyrë intensive për të zhbllokuar këtë rrugë.
Autoritetet lokale thonë se tashmë prioritet është pastrimi i sipërfaqeve bujqësore të mbuluara me baltë.
“Dje dhe sot po punohet, me rëndësi është të punohet edhe në pjesën poshtë që nuk duket tash. Më kryesore është pastrimi i fushave”,- tha kryetari i BShL-Poroj, Ramadan Sulejmani.
Banorët e Porojit kërkojnë nga institucionet që sa më shpejtë të dalin dhe të punojnë në rregullimin e digave që do të parandalonin vërshimet në të ardhmen. Sipas tyre, kjo është e mundur, vetëm duhet vullnet.
“Duhet të intervenohet atje në burim ku formohet lumi, tek uji i shpejtë, lart në Gjermë, duhet të bëhen kaskata mbrojtëse atje, mure mbrojtëse. Urgjentisht duhet të shkohet se pas një muaji përsëri mund të ketë”,- tha një banor i Porojit.
Nga komuna e Tetovës dhe UNDP-ja thonë se ka një plan fizibiliteti dhe shumë shpejtë pritet të intervenohet në rregullimin e digave parandaluese.
“Në bazë të atij studimi fizibiliteti, të gjejmë zgjidhje për të gjitha rrjedhat e lumenjve, të cilat ne mendojmë se janë rrezik i përhershëm për sa i përket vërshimeve apo rrjedhjeve të tokës. Ne i kemi dorëzuar para dy vitesh, që para dy vitesh ne kemi thënë që të gjitha këto çështje, para se të intervenojmë kur vërshohet, duhet të sanohen në vend e njëjta, vlen edhe për këtë lum. Qeveria tregoi gatishmëri që të marrë komplet studimin e UNDP-së, komplet planin tonë të aksionit, në bazë të asaj të ndërtojë qasje për të zgjidhur problemet në vend dhe jo vetëm për t’u marrë me pasojat”,- deklaroi kryetarja e komunës së Tetovës, Teuta Arifi.
“Ne presim investime shumë më të mëdha nga të gjitha komunat në të gjithë rajonin, edhe në Tetovë, sidomos në infrastrukturën e lumit Shkumbin, që të evitohen rreziqet. Dhe shohim se ka interesim nga shumë donatorë, por po ashtu edhe nga Qeveria e re, dhe presim vërtetë që të ketë lëvizje të forta përpara në muajt që vinë”,- u shpreh Luiza Viton nga UNDP.
Sipas një analize që është bërë, prurjet nga vërshimet janë diku rreth 70.000 m3, baltë, gurrë dhe rërë, dhe pastrimi i tyre, sipas parashikimeve, duhet të përfundojë pas një muaji.
VISAR SADIKI
