Maqedoni

Zaevi takon ambasadorët e vendeve të BE-së, diplomatët: presim hapa pozitivë; Zaevi takon ambasadorët e vendeve të BE-së, Qeveria: të përkushtuar për reforma urgjente

09.06.2017 17:34

Kreu i Qeverisë, Zoran Zaev, në kabinetin e tij ka pritur ambasadorët e vendeve anëtare të Bashkimit Europian...

Në takim është folur për rrugën e Maqedonisë dhe hapat që do të ndërmerren drejt integrimit europian. 
 
Ndërkohë, përfaqësuesit ndërkombëtarë nga Republika e Maqedonisë presin të ndërmerren hapa pozitive në këtë drejtim.
 
“Kemi marrë energji pozitive dhe këtë do t’ua përcjellim edhe vendeve tona, se vendi është në binarët e duhur dhe Franca do të ndihmojë sa më shumë që mundet që të realizohen të gjitha këto përpjekje të mira. Presim të gjithë të ndërmerren hapa pozitive nga Republika e Maqedonisë. Qëllimi i të gjithë banorëve të Maqedonisë është të integrohen në Europë dhe për këtë do t’u duhen të gjitha forcat në vend dhe gjithë talentet dhe gjithashtu vullneti i mirë”,- theksoi ambasadori i Francës në RM, Kristian Timonie.
 
Ndërkohë nga kabineti i kryeministrit, Zoran Zaev, njoftojnë se ambasadorët kanë shprehur mbështetjen e tyre për Maqedoninë, ndërsa bëjnë të ditur se Qeveria do të përkushtohet në definimin e reformave me prioritet për vendin.
 
“Jemi të përkushtuar për definimin e një agjende afatshkurte dhe afatmesme për reformat urgjente prioritare. Për këtë do të bisedohet edhe me eurokomisarin, Johanes Han, në Bruksel. Integrimet euroatlantike janë qëllim strategjik i Maqedonisë dhe interes i qytetarëve të saj, që të kemi institucione demokratike”,- citohet në kumtesë të ketë thënë Zaev.
 
Në kumtesë gjithashtu thuhet se kryeministri ka shprehur edhe gatishmërinë e tij për bashkëpunim me opozitën, sektorin civil dhe të gjithë aktorët tjerë shoqërorë, me qëllim të zhvillimit të Maqedonisë dhe sigurisë së jetesës cilësore. 
 
NAIM RAMADANI