Maqedoni

VMRO-DPMNE: një grup funksionarësh kërkojnë reforma; VMRO-DPMNE: arsyeja për pakënaqësi, interesat personale

09.06.2017 18:21

Funksionarë dhe ish-funksionarë të VMRO-DPMNE-së iniciuan reforma të partisë së Nikolla Gruevskit...

Ata kërkojnë demokratizimin e partisë dhe ndryshimin e statusit të partitë, me çka partia do të kthehej në duart e anëtarëve të saj.
 
Nga kjo nismë vlerësojnë se partia ndodhet në izolim të plotë të brendshëm dhe të jashtëm, pikërisht për shkak të mungesës së demokracisë brendapartiake. 
 
“Ne jemi të vetëdijshëm se shumë detyra partiake në të kaluarën u bënë pa vullnetin tuaj dhe pa përkrahjen tuaj si bartës të sovranitetit dhe politikave të partisë. Kjo mënyrë e funksionimit të deritanishëm të partisë patjetër të ndryshojë. Legjitimiteti dhe legaliteti i organeve të VMRO-DPMNE-së buron nga anëtarët e partisë”,- deklaroi udhëheqësi i Nismës për Reforma në VMRO-DPMNE, Aleksandër Mihajllovski.
 
Mihajllovski nuk saktësoi nëse do të kërkohet dorëheqja e liderit të partisë, Nikolla Gruevski, por ai shpreh bindjen e tij se do ta pranojë nismën për demokratizimin e partisë. 
 
Lidhur me iniciativën kanë reaguar nga VMRO-DPMNE, nga e cila thonë se të ashtuquajturit “reformatorë” ngritën zërin për interesa personale. 
 
“VMRO-DPMNE është parti moderne dhe  demokratike, e cila ofron mundësi që të gjithë anëtarët e saj, në kuadër të statusit të organizatës, të marrin pjesë në krijimin e politikave. Arsyeja për pakënaqësinë e një pjese të vogël të këtij grupi është për interesa personale dhe jodemokratike. Thirrja për reforma nuk vjen as pas fitoreve të viteve 2006, 2008, 2011 ose 2014, por pikërisht tani kur një pjesë e tyre ballafaqohen me ndryshimin e  vendeve të punës për shkak të ndryshimit të qeverisë”, - thuhet në kumtesën e VMRO-DPMNE-së. 
 
GAZMEND KURTISHI