Botë

ISIS kërcënon Ballkanin: do të derdhim gjakun e tradhtarëve

09.06.2017 20:07

“Shteti Islamik”, që ka marrë përsipër një seri sulmesh në Europë e jashtë saj...

“Shteti Islamik”, që ka marrë përsipër një seri sulmesh në Europë e jashtë saj, kërcënon me fushatë terrori në Ballkan, pre e së cilës do të bëhen të gjithë tradhtarët e myslimanëve.
 
Në versionin boshnjak të revistës së xhihadistëve,“Rumiyah”, thuhet: “Shumë shpejt, ushtarët e kalifatit do të ecin në Beograd, Zagreb, Sarajevë, Tiranë, Prishtinë, Shkup e qytete të tjera, duke derdhur gjakun e tradhtarëve. Betohemi për Allahun se nuk e kemi harruar Ballkanin”.
 
Në shkrimin “Ballkani - gjak për armikun, mjaltë për miqtë”, grupi terrorist nuk bën përjashtime mes shteteve me besim të krishterë dhe myslimanë dhe paralajmëron serbët dhe kroatët, për shkak të rolit gjatë luftërave në Bosnjë.
 
“Mos mendoni se jeni të sigurtë. Të gjithë tradhtarët e fesë islame në Bosnjë, në rajonin serb të Sanxhakut, Shqipëri, Kosovë dhe Maqedoni do të asgjësohen me shpata e thika, nëse nuk i kthehen islamit. Gjaku juaj është më i dashur dhe i ëmbël për xhihadistët sesa ai i serbëve dhe kroatëve”. 
 
Kërcënimi vjen një ditë pasi mediat konfirmuan vrasjen nga një dron amerikan në Siri të liderit të xhihadistëve shqiptarë, Lavdrim Muhaxherit.