Maqedoni
MPB-ja prezanton Mercedesin 600 mijë eurosh të qeverisë së kaluar
10.06.2017 14:49
Ministri i ri i Punëve të brendshme Oliver Spasovski para mediave prezentoi mercedesin që qeveria e kaluar e kishte blerë 600 mijë euro në vitin 2012...

Mercedesi luksoz ende është pronë e MPB-së, ndërsa është ruajtur në garazhë të qeverisë dhe sipas ministrit Spasovski pushteti i mëparshëm kohë të gjatë nuk është kujdesur për mirëmbajtjen e rregullt të makinës luksoze.
“Atë që kam premtuar se menjëherë pasi të formohet qeveria e re reformuese, do ta prezantojmë Mercedesin i cili kushton 600 mijë euro. Kishte shumë kërkesa nga qytetarët që të shohin se çka është ajo që kushton 600 mijë euro. Kjo është ajo makinë e cila kushton 600 mijë euro, është blerë në kohën kur shumë qytetarë nuk kanë bukë për të ngrënë dhe që ironia të jetë më e madhe në kohën kur përfaqësuesit e policisë nuk kanë as uniforma dhe kushte të tjera elementare”, tha Oliver Spasovski, ministër i punëve të brendshme.
Mercedesi peshon 4 ton dhe është i prodhuar me standarde të sigurisë së shkallës së parë. Nga MPB-ja thonë se vetëm për ndërrimin e gomave duhet të harxhojnë rreth 20 mijë euro. Me makinën deri më tani janë kaluar 57 mijë kilometra. Ministri Spasovski tha se tani për tani nuk do ta shesin mercedesin, me të nuk do të vozitet asnjë zyrtar aktual, ndërsa do të përdoret vetëm për transport të delegacioneve të huaja të larta.
Ndërkohë nga VMRO- DPMNE thonë se ngjarja e sotme në MPB ka qenë teatrale dhe kontroverse dhe tregon se si qeveria e LSDM-së planifikon të kujdeset për pronën e Maqedonisë. Kjo parti akuzon LSDM-në se është fajtore për gjendjen e makinës, pasi sipas tyre, kjo parti ka udhëhequr me MPB-në në vitin e fundit.
“Pikërisht shumica parlamentare udhëheq Ministrinë e Punëve të Brendshme tanimë një vit dhe është përgjegjësia e tyre për gjendjen në të cilën ndodhet makina. Tani është përgjegjësi e tyre nëse makinën do ta shfrytëzojnë për delegacione të huaja, të cilët janë të siguruar me shkallën e parë, dytë dhe tretë”, thuhet në reagimin e VMRO-DPMNE - së.
Për prokurimin e makinës së shtrenjtë në janar të këtij viti Prokuroria Speciale hapi hetim me emrin Tank. Dy të punësuar në MPB dyshohen për keqpërdorim të detyrës zyrtare apo se gjatë prokurimit publik në mënyrë të paligjshme kanë favorizuar një operator të caktuar ekonomik.
BESIM ABDULLAI
