Botë

Inaugurohet sheshi “Skënderbeu” në Tiranë

11.06.2017 12:59

Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama në ceremoninë e hapjes së sheshit “Skënderbeu” në Tiranë, deklaroi se ky shesh është sheshi...

Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama në ceremoninë e hapjes së sheshit “Skënderbeu” në Tiranë, deklaroi se ky shesh është sheshi i të gjithë shqiptarëve nga të gjitha trevat, por edhe sheshi i identitetit tonë kombëtar e evropian. 
 
“Ky sot është sheshi i shqiptarëve, i Amerikës së vogël të pas viteve të 90, i Tiranës së tironësve. Ky është sheshi që e përfaqëson me shkëlqimin më të fortë rilindjen urbane. Demokracinë që lidhet me qytetin, njeriun jo thjesht si një qenie me barkë, por si individ me emocione, ambicie dhe shpresash, shoqërinë jo si tufë, por si bashkësi ëndrrash. Ky nuk është sheshi i pushtetit, ky shesh është një piramidë e ulur ku qendrën e ka në mes. Çdo qytetar mund të shkojë të qëndrojë në majë të piramidës, për një moment vendimtar për fatet e veta. Për mikroklimën e sheshit, ky shesh është hapësira me mikroklimën më ideale dhe këtë do ta shijojmë si ditën dhe natën. Ky është një shesh që rri mbi ujë.  Ky shesh rrethohet me një kurorë të gjelbër, e cila është një tërësi pemësh dhe bimësh nga të gjitha trojet që jetojnë shqiptarët. Ky nuk është sheshi i të fortëve, por i atyre qytetarëve të mirë”, tha në fjalën e tij Kryeministri Rama.
 
Ai shprehu mirënjohjen e tij për kreun e bashkisë, Erion Veliaj. Rama iu përgjigj edhe kritikëve të sheshit, duke thënë se nuk do të ishte një shesh kaq i bukur nëse nuk do të shahej siç u sha bulevardi dhe vet sheshi 8 vite më parë.