Maqedoni
Dimitrov: Maqedonia në NATO, efekt qetësues në rajon
12.06.2017 12:38
Ministri i Punëve të Jashtme, Nikolla Dimitrov, thotë se anëtarësimi i Maqedonisë në NATO do të ndihmojë të qetësohet gjendja në Ballkan dhe të ulet rreziku nga gjakderdhja...

Sa i përket kontestit me Greqinë për emrin, Dimitrov thotë se do të bëhen të gjitha përpjekjet për rikthimin e mirëbesimit mes dy vendeve dhe kjo do të jetë temë diskutimi edhe në takimin me homologun e tij të mërkurën në Athinë.
Gjithsesi, në intervistën e tij për prestigjiozen “Financial Time”, shefi i diplomacisë së Maqedonisë tha se është ende herët të diskutohet për propozime konkrete dhe çfarëdo marrëveshje për emrin e ri të Maqedonisë do të vendoset në referendum dhe do të jetë lëndë e marrëveshjeve ndërpartiake.
"Do ta pyesim Greqinë çfarë fqinji dëshiron, shtet stabil, miqësor, i cili ofron shpresë, demokraci dhe drejtësi? Nëse ne bëhemi fqinj i mirë i Greqisë, ndoshta forcat politike greke do të kuptojnë se kjo na jep një mundësi historike. Në shumë pjesë të Ballkanit ka njerëz të cilët konsiderojnë se ka mundësi të ndërrohen marrëveshjet post-jugosllave. Pranimi i Maqedonisë në NATO mund të ketë efekt qetësues në rajon",- ka deklaruar Dimitrov për gazetën britanike “Financial Time”.
Sipas gazetës, Qeveria në Athinë konsideron se Qeveria e re e Maqedonisë është më bashkëpunuese se ish Qeveria e VMRO-DPMNE-se dhe ka shpresë për optimizëm se kontesti mund të zgjidhet. Por, Athina është decime, nuk do të ketë marrëveshje të shpejta. Sipas, “Financial Time”, arsyeja që vendet perëndimore kanë mbetur më të vendosura në planet që të pranohet Maqedonia në NATO është që Rusia ka filluar në mënyrë më agresive të përzihet në Ballkan, para së gjithash me tentimin për grusht shtet në Mal të Zi gjatë vitit të kaluar.
MERITA GASHI
