Maqedoni
Marrëveshja e Përzhinës, Ahmeti: Na duhet mbështetja e opozitës; Thaçi: Opozitë konstruktive për çështjet shqiptare
12.06.2017 12:42
Takimi mes liderëve të BDI-së dhe PDSh-së, Ali Ahmeti dhe Menduh Thaçi...

Takimi mes liderëve të BDI-së dhe PDSh-së, Ali Ahmeti dhe Menduh Thaçi, përfundoi me mbështetjen e plotë të PDSh-së për pozitën shqiptare në qeveri, në lidhje me të gjitha problemet thelbësore që tangojnë shqiptarët. Lideri I BDI-së tha pas takimit se në qendër të tij ka qenë pikërisht implementimi i plotë i Marrëveshjes së Përzhinës.
“Është një marrëveshje e rëndësishme që i bën shqiptarët faktorë të rëndësishëm në shtet dhe sigurisht që do të na duhet edhe mbështetja e opozitës në parlament. Marrëveshja e Përzhinës nuk mund të realizohet pa mbështetjen e opozitës”,- theksoi kryetari i BDI-së, Ali Ahmeti.
Lideri i PDSh-së, Menduh Thaçi, pohoi se partia e tij do të jetë opozitë konstruktive dhe do të japë mbështetje në çështjet që kanë të bëjnë me përmirësimin e të drejtave të shqiptarëve dhe integrimin euroatlantik.
“Z. Ahmetit ia bëra të qartë se do të vazhdojmë të luajmë rolin e opozitës. Nuk biseduam për interesa grupore, por për harmonizim të politikave në kuadër të integrimit euroatlantik të vendit dhe reformat... Kemi shumë prioritete, si përdorimi i gjuhës shqipe, që është prioritet kryesor i opozitës shqiptare”,- tha kryetari i PDSh-së, Menduh Thaçi.
I pyetur për deklaratën e fundit të kryeministrit, Zoran Zaev, për neutralitet gjatë votimit për pranimin e Kosovës në UNESCO, Ahmeti ka thënë se kjo çështje ka marrë fund.
“Deklarata e Zaevit ka qenë për konsum ditor dhe se Maqedonia këtë punë e ka zgjidhur që në kohën kur e ka pranuar pavarësinë e Kosovës”,- u shpreh kryetari i BDI-së, Ali Ahmeti.
Kreu i PDSh-së, Menduh Thaçi, ndërkohë, tha se ka përfunduar koha kur institucionet në Maqedoni kanë vendosur pa shqiptarët.
“Kësaj radhe është e qartë se institucionet në Maqedoni nuk mund të vendosin pa shqiptarët”,- deklaroi kryetari i PDSh-së, Menduh Thaçi.
I pyetur nëse ka pasur ndonjë ofertë që PDSh të bëhet pjesë e ekzekutivit, Thaçi tha se kjo nuk ka qenë pjesë e bisedimeve. Ndërsa në pyetjen se a do të ketë takime edhe me drejtuesit e tjerë të partive, ai tha se drejtuesit e Lëvizjes “Besa” kanë kërkuar takime pa praninë e mediave dhe se ai ka kundërshtuar takimet e fshehta.
GAZMEND KURTISHI
