Maqedoni
Rasti “Lagja e trimave”, të akuzuarit sërish bojkotuan seancën gjyqësore
12.06.2017 15:16
Disa prej të akuzuarve në rastin “Lagja e trimave”, për të tretën herë kanë vazhduar bojkotin e seancës gjyqësore.

Pala mbrojtëse me këmbëngulje kërkon ndërrimin e trupit gjykues, pasi që ata dyshojnë në paanshmërinë e Gjykatës dhe Prokurorisë për Krim të Organizuar.
Në seancën e sotme gjyqësore të akuzuarit kritikuan ashpër gjykatësen, pasi që edhe pse dy herë e thirrur në mënyrë të rregullt, nuk ka arritur të sjellë në gjykatë për të dëshmuar dëshmitarin, Shenasi Memedi, i punësuar në Agjencinë për Zbulim të Maqedonisë. Pakënaqësi tjetër te të akuzuarit dhe pala mbrojtëse ka shkaktuar edhe mospranimi i dëshmive plotësuese për këtë rast, të ofruara nga pala mbrojtëse.
“Që në fazën e hetuesisë dhe fazën për vlerësimin e aktakuzës dhe kulminacioni është në procesin gjyqësor që bëhen shkelje flagrante të dispozitave ligjore. Do të theksoj vetëm shembullin e fundit, ku gjykata na refuzoi plotësimin e dëshmive të provave me arsyetimin se mbrojta është dashur t’i parashtrojë ato propozime që në fazën e hetuesisë dhe sot përsëri ne propozojmë dëshmi të reja për arsye se ato dëshmi kanë dalë nga vetë procesi gjyqësor, do të thotë pala mbrojtëse dhe të akuzuarit në këtë rast as në fazën e hetuesisë as në fazën e vlerësimeve të aktakuzës nuk na është lejuar shikim në provat e propozuara nga ana e Prokurorisë”,- deklaroi Ajtene Ademi nga pala mbrojtëse.
Në rastin e “Lagja e trimave” akuzohen 37 persona për veprën penale - terrorizëm, pasi ata u arrestuan pas përleshjes së armatosur më 9 dhe 10 maj në Kumanovë.
Seanca e radhës për këtë rast do të mbahet më 14 qershor.
REXHEP QAMILI
