Maqedoni

Sulmet ndaj gazetarëve, ShGM: Duan t’i heshtin mediat që kritikojnë

12.06.2017 16:43

Shoqata e Gazetarëve të Maqedonisë i dënon ashpër sulmet dhe kërcënimet ndaj gazetarëve që ndodhën javën e kaluar...

Sulmi fizik ndaj  ekipit të Televizionit “24 Vesti” në Shtip dhe kërcënimet ndaj gazetares së Portalb-it për informacionin e publikuar për dyshime rreth keqpërdorimeve eventuale në një komunë, paraqesin sulm ndaj lirisë së mediave, thonë nga ShGM.

Pengimi në kryerjen e punës të kameramanit të 24 Vesti dhe kërcënimi nëpërmjet ndërmjetësuesve ndaj gazetares së Portalb, Elida Zilbehari, kanë qëllim të qartë që t’i heshtin gazetarët që mos t’i kritikojnë dukuritë negative në shoqëri. Këto sulme dhe kërcënime tregojnë që dhunuesit që deri tani sulmonin gazetarët, nuk janë frikësuar nga ndryshimi i qeverisë në Maqedoni.

“I bëjmë thirrje ministrit të Punëve të Brendshme, Oliver Spasovskit, që menjëherë t’i identifikojë dhe të marrë masa ndaj sulmuesve të gazetarëve”,- thonë nga ShGM, nga e cila përkujtojnë qeverinë e re, se reformat e vërteta në media do të fillojnë kur do të ndërpritet dhuna ndaj gazetarëve dhe kjo arrihet vetëm nëse dhunuesit dënohen ashpër.