Maqedoni

“Trasparency Internacional” – Maqedoni: Gjykatat e vendit nuk sigurojnë gjykim të drejtë

12.06.2017 17:14

Gjykatat e vendit nuk sigurojnë gjykim të drejtë dhe të bazuar në fakte...

Kështu kanë vlerësuar në analizën e vendimeve gjyqësore qytetarët e përfshirë në lëndë të caktuara dhe familjarët e tyre, në kuadër të projektit “Të gjithë së bashku deri te drejtësia”.
 
Projekti është realizuar nga Organizata “Trasparency Internacional” - Maqedoni, në bashkëpunim me Shoqatën “Lupa e gjelbër”, rezultatet e të cilit u prezantuan në punëtorinë “Qytetarët kërkojnë drejtësi, stop padrejtësive”.  Hulumtimi ka përfshirë 6 raste, ndërsa do të vazhdojë edhe hulumtimi i rasteve tjera.
 
“Konstatuam se institucionet kanë reaguar, ashtu që nuk kanë siguruar kualifikime të qëndrueshme, apo sqaruar elemente kualifikuese të veprave penale për të cilat personat janë akuzuar e më pas dënuar. Nuk janë kujdesur plotësisht të sigurojnë dëshmi të bazuara që do ta konfirmonin fajin e atyre personave. Edhe sa i përket politikës së dënimeve, ata persona tërë kohën kanë qenë në paraburgim, ndërsa është aplikuar politikë maksimale ndëshkuese, duke u shqiptuar dënimet më të rënda pa mbajtur llogari për personalitetin e personave që u shqyrtohet dënimi”,- deklaroi kryetarja e “Trasparency Internacional” -  Maqedoni, Sllagjana Taseva.
 
Në këtë projekt janë përfshirë rastet “Fallanga”, “Likujdimi”, “Apollo”, rasti “Migrantët” dhe “Detonator”.  Njëherit nga kjo punëtori u apeluan për reforma në gjyqësi, që të mundësohet drejtësi për të gjithë.
 
REJHANE BUSHI-METAJ