Maqedoni

“Talir” - PPS merr në pyetje të dyshuarit, Kotevski kërkon shqyrtimin e dëshmive

12.06.2017 17:34

Prokuroria Speciale ka vazhduar me dëgjimin e personave të dyshuar në rastin “Talir”...

Në zyrat e PPS-së është paraqitur drejtori i Qendrës së Komunikimeve të VMRO-DPMNE-së, Ivo Kotevski, deputeti i kësaj partie, Ilija Dimovski, dhe ish-drejtori i Drejtorisë së Pestë, Goran Grujevski. Kotevski tha se ka kërkuar kontroll të dëshmive materiale, ndërsa akuzoi PPS-në se është e ndikuar politikisht nga LSDM-ja.
 
“Nuk kishim qasje në dëshmi, u morëm vesh që në ndonjë ditë në të ardhmen të kryejmë kontroll të dëshmive materiale dhe në shkrimet, nëse i kanë. Zoran Zaev dhe LSDM kanë detyrime të mëdha ndaj qytetarëve, dhe që të defokusohen nga obligimet që i kanë ndaj qytetarëve, do të vazhdojnë me porositë politike ndaj PPS-së për ndjekjen e funksionarëve të VMRO-PDMNE-së”,- deklaroi Ivo Kotevski nga VMRO-DPMNE.
 
Në PPS sërish nuk është paraqitur kreu i VMRO-DPMNE-së, njëherit edhe ish-kryeministër, Nikolla Gruevski, si i dyshuar i parë në rastin “Talir”, me arsyetimin e se ndodhet jashtë vendit. 
 
Ndryshe, në rastin “Talir” janë të dyshuar 14 persona për pastrim parash dhe financim të paligjshëm të partisë, tashmë në opozitë, VMRO-DPMNE. 
 
Javën e kaluar për rastin “Talir” në PPS është paraqitur sekretari i përgjithshëm i VMRO-DPMNE-së dhe ish-kryeministër teknik, Emil Dimitriev, ish-ministri i Transportit dhe Lidhjeve, Mile Janakieski, deputetja e VMRO-DPMNE-së, Daniela Rangellova, si dhe deputetja e LSDM-së, Frosina Tashevska - Remenski.
 
NAIM RAMADANI