Maqedoni
Zaev në Bruksel, Zaev: anëtarësimi në BE nuk ka alternativë; Han: presim rezultate në zbatimin e reformave
12.06.2017 17:45
Brukseli mbështet Maqedoninë në procesin e integrimit euroatlantik...

Brukseli mbështet Maqedoninë në procesin e integrimit euroatlantik, por fillimisht kërkon të sheh rezultate pozitive në zbatimin e Marrëveshjes së Përzhinës dhe reformave urgjente prioritare. Komisioneri për zgjerim, Johanes Han, thotë se qeveria, opozita dhe sektori civil duhet patjetër të bashkëpunojnë për zbatimin e reformave që kanë të bëjnë me procesin eurointegrues. “Na nevojitet konsensus kombëtar në procesin e integrimit europian jashtë linjave politike dhe etnike”, – theksoi Han.
“Dua të theksoj rëndësinë e përmbushjes së pikave në tërësi nga marrëveshja e Përzhinës dhe nevojën e reformave urgjente. Të gjithë jemi të gatshëm të mbështesim vendin tuaj në qëllimin që keni. Nevojitet fokusim në prioritetet urgjente reformuese, për çka mund të lajmëroj se eksperti, Rajnhard Pribe, në muajin korrik do ta vizitojë Shkupin”,- theksoi komisioneri për zgjerim i BE-së, Johanes Han.
Maqedonia, ashtu si vendet e tjera të Ballkanit, është partner i BE-së dhe tashmë i duhet mbështetje si asnjëherë më parë rreth hapave dhe lëvizjeve drejt integrimit në BE, tha kryeministri Zaev. Sipas tij, anëtarësimi në BE nuk ka alternativë dhe është koha e fundit kur proceset duhet të ecin para.
“E kam të qartë se mbështetja që gëzojmë sot duhet të arsyetohet me rezultatet që duhet të arrijmë në vend, të cilat fillimisht do të jenë të orientuara në përforcimin e gjyqësisë, sundimin e së drejtës dhe reformat në administratën publike. Zhvillimi i marrëdhënieve të mira ndërfqinjësore është një pjesë tjetër e rëndësishme e programit tim. Na duhet marrëdhënie të mira dhe të fuqishme me fqinjët tanë të mbështetura në respekt të ndërsjellë”,- theksoi kryeministri, Zoran Zaev.
Në këtë frymë, Zaev paralajmëroi vizitën e tij në Sofje të Bullgarisë gjatë këtij muaji dhe vizitën e shefit të diplomacisë, Nikolla Dimitrov, në Athinë. Kryeministri, Zoran Zaev, po qëndron për vizitën e tij të parë zyrtare në Bruksel, ku e ka takuar edhe kryetarin e Këshillit Europian, Donald Tusk, përfaqësuesen e lartë të BE-së për Politikë të Jashtme dhe Siguri, Federika Mogerini, si dhe me sekretarin e përgjithshëm të NATO-s, Jens Stoltenberg, me të cilin janë shqyrtuar alternativat për anëtarësimin e Maqedonisë në NATO.
SHPËTIM NUREDINI
