Botë

Zgjedhjet në Kosovë, fitues koalicioni PDK, AAK dhe NISMA

12.06.2017 18:01

Zgjedhjet parlamentare të 11 qershorit në Kosovë u zhvilluan në një atmosferë të qetë dhe pa probleme të theksuara...

Koalicioni PDK, AAK, Nisma, kryeson me mbi 34%, pason Lëvizja Vetëvendosje me mbi 27% dhe koalicioni i LDK, AKR, Alternativa me mbi 25 për qind. Megjithëse koalicioni i udhëhequr nga PDK, që kishte të nominuar për kryeministër liderin e AAK-së, Ramush Haradinaj, ka fituar më shumë vota, pa gjasa për postin e kryeministrit nuk është edhe i nominuari i Vetëvendosjes, Albin Kurti, i cili bazuar në rezultatin zgjedhor, fare lehtë mund të sigurojë 61 mandatet e nevojshme për formimin e qeverisë, nëse koalicioni i udhëhequr nga LDK do të koaliciononte me Vetëvendosjen dhe nëse presidenti, Hashim Thaçi, nuk do të imitonte presidentin maqedonas, Gjorge Ivanov, që të refuzojë t’ia japë mandatin partisë së dytë nëse e para nuk arrin të formojë qeverinë. 
 
Në këto zgjedhje, Vetëvendosje për herë të parë ka lënë pas vetes LDK-në, themelues i të cilës ishte lideri historik i Kosovës, Ibrahim Rugova, por nën udhëheqjen e Isa Mustafës kjo parti ka shënuar rënien më të madhe në historinë e ekzistimit të saj. Sipas Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, pjesëmarrja në votime ishte 41.4 për qind. Ulëse në Kuvendin e Kosovës kanë siguruar edhe partitë e minoriteteve, ku prin lista serbe me mbi 5% të votave. Por, 20 ulëset e tyre duken të pa mjaftueshme për t’i siguruar koalicionit të udhëhequr nga PDK mundësinë për formimin e qeverisë, pasi rezultatet flasin se do të ketë më pak se 40 deputetë, të pamjaftueshëm për të siguruar 61 deputetët e nevojshëm për formimin e qeverisë së re. Pas shpalljes së rezultateve të para, në Prishtinë pati dy festa, Vetëvendosje u ndje fituese e zgjedhjeve pasi ka arritur të rrisë përkrahjen e qytetarëve për mbi 100%. Festoi edhe koalicioni i udhëhequr nga PDK, megjithëse bazuar në rezultatet e zgjedhjeve të kaluara, dy koalicionet kanë shënuar rënie të mëdha te elektorati.
 
Nuk mungoi edhe vlerësimi ndërkombëtar. Ambasadori amerikan në Prishtinë, Greg Delavi, tha se zgjedhjet ishin një hap i rëndësishëm për demokracinë në Kosovë. Ai përgëzoi qytetarët duke nënvizuar se “pavarësisht rezultateve përfundimtare, sfidat dhe mundësitë mbeten”. Eurokomisioneri, Johanes Hahn, ka deklaruar se “BE-ja i pranon të zgjedhurit e popullit në Kosovë. Megjithatë, prej tyre pritet të jenë të vetëdijshëm për perspektivën europiane dhe jetën më të mirë të qytetarëve të Kosovës”. Han ka porositur liderët kosovarë që ta formojnë sa me parë qeverinë e re. 
 
Edhe nënkryetarja e Parlamentit Europian, Ulrike Lunaçek, njëherit edhe raportuese për Kosovën, u kërkoi partive që të formojnë shpejt një qeveri të re me frymën europiane. Por, a do të formohet shpejtë qeveria e re, apo do të përsëritet bllokada disa mujore e zgjedhjeve të kaluara? Kjo sigurisht që është në duart e partive politike dhe presidentit të Kosovës. 
 
GYLTENE SINANI