Maqedoni

ShBA, dy kryeprokurorë padisin Trumpin

12.06.2017 18:44

Dy prokurorë të përgjithshëm, ai i Marylandit dhe Distriktit të Kolumbias në ShBA, planifikojnë të hedhin në gjyq presidentin Trump...

Dy prokurorë të përgjithshëm, ai i Marylandit dhe Distriktit të Kolumbias në ShBA, planifikojnë të hedhin në gjyq presidentin Trump, për faktin se ka pranuar, sipas tyre, miliona dollarë nga qeveri të huaja për sipërmarrjet e veta, duke shkelur klauzolën kushtetuese kundër korrupsionit.
 
“Uashington Post” shkruan se shefi i Shtëpisë së Bardhë ia ka transferuar kontrollin e bizneseve të tij dy djemve, Donald Junior dhe Eric, për të shmangur pikërisht konfliktet e mundshme të  interesit gjatë mandatit presidencial. Dy prokurorët demokratë, Karl Racine dhe Brian Frosh, pretendojnë se kreu i administratës ka anashkaluar premtimet për t’i mbajtur të ndara detyrimet publike nga interesat private. Nëse gjykata federale i jep “dritë jeshile” procedurave, një ndër hapat e para mund të jetë kërkesa e një kopjeje të deklaratës së të ardhurave, që Trump deri tani ka refuzuar ta bëjë publike. Ajo mund t’i ndihmojë hetuesit të shohin në ç’pikë është situata e tij e biznesit jashtë kufijve. 
 
Ndërkohë,  një ish-prokuror federal i New Yorkut ka deklaruar se u shkarkua pasi nuk pranoi t’i përgjigjej një telefonate të përsëritur të presidentit, Donald Trump. Bharara i quajti telefonatat e Trumpit të pazakonta.
 
“Thirrjet nga zoti Trump kishin kaluar kufirin e zakonshëm që ndante degën ekzekutive dhe hetuesit e pavarur kriminalë. U shkarkova pas refuzimit për të marrë një telefonatë të tretë”,- tha Bharara, i cili shërbeu si prokuror më i lartë federal në Manhatan. Telefonatat e Trump iu dukën të papërshtatshme, pasi në shtatë vjet e gjysmë presidenti Obama nuk i kishte telefonuar asnjëherë.