Maqedoni
BDI dhe LR-PDSh publikojnë emrat e kandidatëve për zv/ministra
13.06.2017 12:12
Bashkimi Demokratik për Integrim dhe LR-PDSh kanë publikuar emrat e kandidatëve për zëvendësministra...

Bashkimi Demokratik për Integrim dhe LR-PDSh kanë publikuar emrat e kandidatëve për zëvendësministra, të cilët pritet të diskutohen sot në qeveri. Siç njoftojnë nga kjo parti, “zëvendësministër i Punëve të Brendshme do të jetë Agim Nuhiu, zëvendësministër i Mbrojtjes, Bekim Maksuti, zëvendësministër i Arsimit dhe Shkencës, Visar Ganiu dhe zëvendësministre e Financave, Shyrete Elezi”. Përpos BDI-së, me zëvendësministra do të përfaqësohet edhe LR-PDSh: Remzi Memedi propozohet për zv/ministër të Transportit dhe Lidhjeve, Elmi Aziri – zv/ministër i Punës dhe Politikës Sociale, Arta Toçi – zv/ministre e Punëve të Jashtme. Propozimet i janë dorëzuar qeverisë, ndërsa ajo duhet t’i propozojë për miratim në Kuvendin republikan.
Qeveria në seancën e sotme pritet të emërojë edhe drejtorin e ri të Byrosë për Siguri Publike dhe drejtorin e Drejtorisë për Siguri dhe Kundërzbulim. Kjo nënkupton shkarkimin e drejtorit të deritanishëm të BSP-së, Mitko Çavkov, dhe atij të DSK-së, Vlladimir Atanasovski. Për shkarkimin e Mitko Çavkovit, propozim deri te qeveria ka paraqitur ish-ministri i Brendshëm, Agim Nuhiu, derisa Çavkov ndërkohë ka paraqitur kërkesë për pensionim.
Ministri i atëhershëm, Nuhiu, e më pas edhe Raporti i grupit të punës në MPB ka bërë përgjegjës pikërisht Mitko Çavkovin për mospengimin nga ana e policisë të futjes së protestuesve më 27 prill në Kuvend, me ç’rast u rrezikuan jetët e deputetëve, gazetarëve dhe të punësuarve në institucionin ligjvënës.
