Botë
30 ditë burg për Navalnyn, qindra arrestime në demonstratat anti-Putin
13.06.2017 13:45
Qindra arrestime janë bërë në Moskë gjatë demonstratave anti-Putin në qendër të qytetit....

Raportimet e mediave vendase flasin për 750 të arrestuar në Moskë dhe 900 të tjerë në Shën Petersburg.
Ndërkohë, zyrtarisht Ministria e Brendshme ruse thotë se janë ndaluar vetëm 500 protestues. Dëshmitarët thanë se është përdorur gaz lotsjellës kundër protestuesve në sheshin qendror Pushkin në Moskë, por ata janë të vendosur të ndryshojnë atë që e quajnë regjim autoritar.
“Rusia është kthyer në një diktaturë autoritare, ne duam ta kthejmë në një shtet demokratik”,- theksoi protestuesi, Danil Beylakov.
“Erdha të shpreh pakënaqësinë me atë që po ndodh në vendin tonë. Nuk duam të jetojmë pas perdes së hekurt, si atëherë kur kemi qenë fëmijë”,- tha protestuesja, Elena.
Në mesin e të arrestuarve është edhe lideri opozitar rus, Alexei Navalny. Ai u arrestua dje në shtëpi përpara protestës së paautorizuar që ai kishte lajmëruar në Moskë kundër mashtrimit dhe korrupsionit në nivelet më të larta të politikës ruse. Në orët e vona të mbrëmjes së të hënës atij iu komunikua masa e arrestit me 30 ditë burg për shkelje të përsëritura të Ligjit për organizimin e tubimeve publike.
“Vendimet kundër kreut të opozitës janë gjithnjë politike, por ai u arrestua për dhunë në protesta para se vetë protesta të fillonte. Në kohën e Bashkimit Sovjetik, sistemi i arrestonte disidentët në mënyrë të tillë për të parandaluar që të mbaheshin protesta. Duket se po rikthehemi në të njëjtin sistem”,- deklaroi avokati mbrojtës i Navaylit, Konstantin Terekhov.
Qindra protesta u mbajtën në Rusi që nga paqësori europian e deri në Kaliningrad, duke kërkuar largimin e Putinit. “Poshtë cari” - ishte thirrja e protestuesve, por duket se Putin është mësuar tashmë me protestat e shpeshta kundër tij.
GAZMEND REXHEPI
