Maqedoni
Dimitrov të mërkurën në Athinë, shtohet presioni për të gjetur zgjidhje për emrin
13.06.2017 15:28
Shefi i Diplomacisë së Maqedonisë, Nikolla Dimitrov, udhëton drejt Athinës, ku do të takohet me homologun e tij grek, Nikos Kotzias...

Dimitrov ishte pjesë e delegacionit të lartë qeveritar, të kryesuar nga kryeministri Zaev, i cili të hënën në Bruksel u takua me njerëzit e parë të BE-së dhe NATO-s. Pas takimit me sekretarin e përgjithshëm të NATO-s, Zaevi shfaqi shpresë se Maqedonia do ta pranojë ftesën për anëtarësim në Aleancë me referencën e përkohshme. Stoltenberg ia përkujtoi kryeministrit të ri se sipas konkluzionit të Samitit të NATO-s në Bukuresht në 2008-ën, përsëritur në të gjitha samitet e ardhshme të Aleancës, "ftesa do të dërgohet pasi të zgjidhet kontesti me Greqinë".
Edhe Greqia zyrtare mbetet me qëndrimin e vet të fuqishëm, se Maqedonia nuk mund të bëhet anëtare e NATO-s pa u zgjedhur paraprakisht çështja e emrit. Koxias ka bërë të qartë tashmë se me Dimitrovin nuk do të flasin për kontestin për emrin, por për metodën se si do të vazhdojnë negociatat për emrin.
Gazeta greke "Katimerini" komentoi se presioni ndaj Athinës do të fillojë muajt e ardhshëm dhe se presioni gjerman ndaj Athinës për pranim të shpejtë të Maqedonisë në NATO, veç më po bëhet "ngulfatës”.
Sipas gazetës "To Vima", ndërkohë, faktorë të lartë diplomatikë kanë bërë të ditur se Greqia nuk do të pranojë hyrjen e Maqedonisë në NATO me emër të përkohshëm, sepse ky do të jetë mjet për de fakto “imponim të emrit të dyfishtë”, me ç'ka në fund vetëm Greqia dhe organizatat ndërkombëtare, në të cilat Greqia ka të drejtë të vetos, do ta miratojnë emrin e përkohshëm në bazë të përhershme dhe për të gjitha dedikime tjera do të garantohet përdorimi i emrit kushtetues "Republika e Maqedonisë”.
REJHANE BUSHI-METAJ
