Maqedoni
Mbipunësimi në administratë, Mançevski paralajmëron reforma urgjente. Rashkovski: Të punësuar me shkollim joadekuat
13.06.2017 16:14
Ministri i Shoqërisë Informatike dhe Administratës, Damjan Mançevski, paralajmëron formimin e këshillit konsultativ...

Ministri i Shoqërisë Informatike dhe Administratës, Damjan Mançevski, paralajmëron formimin e këshillit konsultativ, për implementimin e prioriteteve reformuese në administratë.
Në këtë këshill do të përfshihen përfaqësues të ministrive dhe shoqërisë civile, përfshi edhe sindikatat. Administrata publike, sipas tij, është e politizuar, përballet me mbipunësim, pa kuadro të mjaftueshme profesionale dhe Aj-Ti kuadro prandaj është e nevojshme reformë urgjente.
“Në kuadër të këtij këshilli duhet të formohen trupa tematikë, të përbëra nga asociacionet qytetare, universitetet, Akademia e Shkencave, nisma joformale, sindikata, odat ekonomike dhe të gjitha palët e interesuara”,- deklaroi ministri i Shoqërisë Informatike Dhe Administratës, Damjan Mançevski.
Mançevski po ashtu theksoi se reformat në administratë janë stërzgjatur, pasi ato kanë filluar që nga viti 1999 dhe nuk po rezultojnë me efikasitet, prandaj patjetër të definohet afati i fundit dhe të miratohet strategji për reforma.
Pjesë e reformave është edhe mundësia për aplikimin e punës në dy ndërrime, përkatësisht orar fleksibil për ardhje në punë prej orës 7:30 deri në 15:30 dhe prej 8:30 deri në 16:30. Sekretari i përgjithshëm i Qeverisë, Dragan Rashkovski, thekson se problemet në institucione janë të ndryshme, diku ka numër të madh të punësuarish, diku ka mungesë, prandaj është i nevojshëm transferim i kuadrove.
“Ka edhe të punësuar me shkollim joadekuat, të cilëve nuk mund t’u gjendet vend pune për t’i angazhuar në përputhje me arsimimin e tyre. Në administratë në qeveri aktualisht ka të punësuar 289 persona, por 72 prej tyre duhet të shpërndahen në vende adekuate ku ka nevojë për ta”,- u shpreh sekretari i Qeverisë, Dragan Rashkovski.
Zyrtarisht në administratë ka të punësuar 120.000 persona, por ministri Mançevski tha se ky numër është edhe më i madh, pasi nuk janë përfshirë të punësuarit me kontrata të përkohshme.
GYLTENE SINANI
