Botë

Zgjedhjet në Kosovë, Peterle: Zgjedhje të qeta, por pati raste abuzive

13.06.2017 16:34

Misioni i vëzhguesve të Bashkimit Europian ka paraqitur raportin preliminar nga monitorimi i zgjedhjeve në Kosovë...

Misioni i vëzhguesve të Bashkimit Europian ka paraqitur raportin preliminar nga monitorimi i zgjedhjeve në Kosovë, duke vlerësuar se zgjedhjet e 11 qershorit ishin konkurruese në pjesën më të madhe të vendit, por është kërkuar vullnet politik për adresimin e dobësive të vjetra. Është apostrofuar sidomos frikësimi në rajonet e banuara me serbë të Kosovës. Një vëmendje e posaçme iu kushtua zonave të banuara me shumicë serbe.
 
“Procesi zgjedhor u dëmtua nga frikësimi dhe rastet e dhunës brenda komunitetit serb të Kosovës kundër kandidatëve dhe votuesve. Po ashtu pati një reagim të pamjaftueshëm nga prokuroria dhe policia ndaj atyre incidenteve. Kjo ngre pyetjen rreth besueshmërisë së procesit demokratik në këto zona. Në disa zona, vëzhguesit vërejtën raste të shpeshta të votimit familjar, raste të ndihmës abuzive të votuesve dhe pranisë së tepërt të vëzhguesve nga dy subjekte politike, duke shkelur ligjin. Procedurat e numërimit të votave nuk u përfillën gjithmonë duke nënvizuar nevojën për trajnim më të mirë të stafit zgjedhor”,- deklaroi shefi i vëzhguesve të BE-së në Kosovë, Alojz Peterle.
 
Sipas raportit, në komunat veriore kishte udhëzime të paqarta nga KQZ-ja nëse duhet të pranohen dokumentet e identifikimit të Serbisë si dokumente të vlefshme identifikimi për votim në katër komunat veriore. Janë vërejtur rreth 30 autobusë nga Serbia që i sollën votuesit në disa komuna me shumicë serbe.
 
Misioni i zgjedhjeve të kaluara ka listuar rekomandimet për të përmirësuar procesin zgjedhor, por ato nuk janë marrë parasysh, çka u vërejt në zgjedhjet e 11 qershorit. Misioni Vëzhgues i Bashkimit Europian kishte 100 vëzhgues në Kosovë për monitorimin dhe vëzhgimin e zgjedhjeve të 11 qershorit.
 
FLUTURA LATIFI