Maqedoni

Rasti “Target”, Zaevi dhe Verushevski në PPS

13.06.2017 17:38

Kryeministri i Maqedonisë, Zoran Zaev, dhe ish-drejtori i Byrosë për Siguri dhe Kundërzbulim, Zoran Verushevski...

Kryeministri i Maqedonisë, Zoran Zaev, dhe ish-drejtori i Byrosë për Siguri dhe Kundërzbulim, Zoran Verushevski, janë paraqitur në PPS për të dhënë dëshmi rreth rastit “Target”, që ka të bëjë me përgjimet. 
 
“Erdha këtu me thirrje të Prokurorisë Speciale si dëshmitar dhe i dëmtuar nga përgjimi masiv i njohur si lënda “Target”, pasi deklarata ime ishte e nevojshme për këtë lëndë. Për sot mbarova me deklaratën time dhe nëse prokurori përgjegjës i kësaj lënde e sheh të nevojshme të më thërrasë përsëri në çfarëdo cilësie, unë do të jem në dispozicion”,- deklaroi kryeministri, Zoran Zaev.
 
I pyetur për mandatin që po i skadon Prokurorisë Speciale, Zaevi tha se ka mekanizma për t’u vazhduar. Si alternativë ai paraqiti vazhdimin e mandatit për ngritjen e akuzave në Kuvend, ose integrimin e Prokurorisë Speciale në Prokurorinë e rregullt Publike.
 
“Unë si kryeministër dhe si lider i shumicës së re parlamentare do të bëj gjithçka që Prokuroria Speciale ta plotësojë mandatin deri në fund, kjo domethënë që të shfuqizohet kufizimi për ngritjen e aktakuzave. Ekziston mundësia e ndryshimit ligjor në Kuvend me dy të tretën e votave, ose nëpërmjet Gjykatës Kushtetuese, ose integrimin e saj në Prokurorinë e Rregullt publike si trup i veçantë, besoj se ka edhe alternativa tjera”,- theksoi Zaevi.
 
PPS-ja rastin “Target” e prezantoi më 18 nëntor, me ç’rast në konferencë për shtyp publikoi se 5 817 numra telefoni gjatë periudhës 2008-2015 janë përgjuar në mënyrë të paligjshme nga Drejtoria për Siguri dhe Kundërzbulim.
 
FARIJE DAUTI-BAKIJU