Maqedoni
Qeveria shqyrton propozimet për zëvendësministra
13.06.2017 18:03
Qeveria po shqyrton propozimet e partive të koalicionit për zv/ministra, drejtorë e drejtoresha dhe sekretarë shtetërorë...

Nga subjektet shqiptare, BDI në këtë përbërje qeveritare do të ketë pozitën e zv/ministrit të MPB-së, atë të Mbrojtjes, Arsimit dhe Financave. Në postin e zëv/ministrit të MPB-së do jetë ish-ministri i këtij dikasteri, Agim Nuhiu. Zv/ministër i MM-së mbetet Bekim Maksuti, ndërkaq Visar Ganiu do të jetë njeriu i dytë në Ministrinë e Arsimit. Ish-ministrja e Pushtetit Lokal, Shirete Elezi, do të jetë zv/ministre e financave.
Aleanca për Shqiptarët do të ketë zv/ministër në MPJ, atë të Transportit dhe Lidhjeve dhe në Ministrinë për Punë dhe Politikë Sociale. Për këto pozicione Aleanca ka propozuar Arta Toçin, Remzi Mehmetin dhe Elmi Azirin. Pas shqyrtimit në Qeveri, kandidaturat pritet t’i propozohen Kuvendit për votim.
Veç zëvendësministrave, Qeveria pritet të emërojë edhe drejtorin e ri të Byrosë për Siguri Publike dhe atë të Drejtorisë për Sigurim dhe Kundërzbulim, të dyja në kuadër të MPB-së. Për Mitko Çavkovin, momentalisht drejtor i BSP-së, propozim për shkarkim paraqiti ish-ministri i Brendshëm, Agim Nuhiu, tani kandidat për zëv/ministër i këtij dikasteri. Në pako me Çafkovin pritet të shkarkohet edhe drejtori i DSK-së, Vlladimir Atanasovski, që të dy kuadro të VMRO-DPMNE, të cilët në raportin e grupit punues të MPB-së shpallen përgjegjës për mosintervenimin e rregullt dhe në kohë për të parandaluar dhunën në Kuvend, më 27 prill.
Atanasovki njihet edhe për pengesat që i bënte PPS-së në përpjekjen që të ketë qasje në sistemet e përgjimit dhe dokumentacionit të lidhur me përgjimet e paligjshme.
Në ndërkohë, Magdalena Nestorovska është zgjedhur sekretar shtetëror në Ministrinë e Punëve të Brendshme. Nestorovska ishte shefe e Kabinetit të ministrit të MPB-së, Olirver Spasovski, qeverisë kalimtare.
Partnerët e ekzekutivit ende nuk kanë caktuar kandidatët për sekretarë shtetërorë edhe pse janë pajtuar për proporcionet dhe dikasteret. Kështu, BDI do të ketë sekretarë shtetërorë në Ministrinë e Jashtme, atë të Bujqësisë, Ministrinë e Kulturës, atë të Shoqërisë Informatike dhe Administratës, si dhe në Sekretariatin për Marrëveshjen e Ohrit.
Aleanca për Shqiptarët do të ketë sekretar shtetëror në ministrinë e Drejtësisë.
SHPËTIM NUREDINI
