Maqedoni

Mesazhet e Brukselit, Zyberi: Qeverisë i mbeten detyrat e shtëpisë Mesazhet e Brukselit, Musliu: qeveria të tregojë sinjale serioze për reforma

13.06.2017 18:20

Gatishmëria e BE-së dhe NATO-s për ta mbështetur qeverinë është shumë domethënëse për Maqedoninë...

Gatishmëria e BE-së dhe NATO-s për ta mbështetur qeverinë është shumë domethënëse për Maqedoninë, e cila tani duhet të koncentrohet në reformimin e sistemit të brendshëm duke implementuar kështu rekomandimet e raportit të Pribesë dhe të dëshmojë gatishmëri për zgjidhjen e problemit me emrin, vlerëson analisti, Naser Zyberi. Sipas tij, mbështetja në këtë drejtim nuk do t’i mungojë qeverisë së re, e cila u dëshmua edhe nga takimet e fundit që realizoi delegacioni i Maqedonisë, i kryesuar nga vetë kryeministri në Bruksel.
 
“Maqedonisë i mbetet për detyrë të koncentrohet në dy çështje, reformimin e sistemit të brendshëm dhe implementimin e rekomandimeve të raportit të Pribesë, si dhe dëshmimin e gatishmërisë për gjetjen e zgjidhjes për çështjen e emrit. Inkurajues është fakti që është pritur në qeverinë e Maqedonisë z. Pribe, i cili ka bërë incizimin e situatës dhe mund t’i detektojë të  gjitha dobësitë që janë paraqitur nga analiza e mëhershme, dhe në bashkëpunim me qeverinë dhe resorët përkatës të ndërtojë një strategji për përshpejtim të hapave në drejtim të realizimit të reformave në të gjitha sferat”,- deklaroi eksperti juridik, Naser Zyberi.
 
Edhe analisti politik, Albert Musliu, thotë se Qeveria duhet të tregojë sinjale serioze në përmbushjen e detyrimeve që kanë të bëjnë me reformat.
 
“Mendoj se diplomacia jonë është e vetëdijshme se pa filluar me reformat prioritare të cilat janë në raportin e Pribesë, ne nuk mund të presim edhe të debllokohet edhe statusi ynë, d.m.th ne kemi pasur vite me radhë rekomandim për fillim të negociatave, por mendoj se qeveria jonë tani duhet të tregojë sinjale serioze për reforma të cilat janë kërkuar edhe në bazë të raportit të Pribesë, por mendoj se është inkurajim edhe qëndrimi i Hanit se çdo veprim konform deklaratave të cilat i ka marrë qeveria e Maqedonisë se do të shpërblehet edhe nga pala tjetër”,- tha analisti politik, Albert Musliu.
 
Për sa i përket anëtarësimit në NATO, Zyberi konsideron se ky proces mund të fillojë me ratifikimin e marrëveshjes për anëtarësim nëpër qeveritë e vendeve anëtare, ndërsa kjo periudhë të shfrytëzohet për kompromis me Greqinë. 
 
Ndërkohë, sipas Musliut, me një diplomaci pragmatike vendi mund të shfrytëzonte këtë mbështetje ndërkombëtare për anëtarësim edhe me referencën e deritanishme e që sipas tij nuk është në kundërshtim me marrëveshjen e vitit 1993.  
 
NAIM RAMADANI