Maqedoni
Këshilli i Prokurorëve vendosi: Votohet propozimi për shkarkimin e Zvrelvskit
13.06.2017 18:34
Këshilli i Prokurorëve me shumicë votash ka mbështetur propozimin e Qeverisë për shkarkimin e kryeprokurorit, Marko Zvrlevski....

Më herët, kryetari i Këshillit ishte deklaruar se puna e Marko Zvrlevskit është e përkryer, madje ai vazhdon të mendojë se Zvrlevski është prokuror i mirë, por që si kryeprokuror nuk mund të mbajë nën kontroll punën e të gjithë prokurorëve për lëndë konkrete në veçanti.
“Ai është mendim, ndoshta u shpreha në mënyrë superlative për prokurorin, megjithatë është prokuror i mirë, atë e them përsëri dhe secili e shpreh këtë mendim. Mendoj se edhe shumica e prokurorëve në Këshill mendojnë se si prokuror është i mirë dhe nuk ka ndonjë vërejtje në punën e tij, por vetëm se kur ka propozim prej Qeverisë për shkarkim, Këshilli duhet patjetër të vendos pozitivisht apo negativisht në afat prej 15 ditëve, ndërsa ne këtë e bëmë sot. Prokurori publik nuk mund të mbërrijë gjithkund, ai konkretisht nuk punon lëndë, por atë e bëjnë prokurorët publikë në prokuroritë publike. Sa për informatë, Prokuroria Themelore - Shkup ka 61 prokurorë publikë dhe ju garantoj se kryeprokurori nuk mund të bëjë hetim në punën e 61 prokurorëve se si punojnë, në detaje të dijë për punën e tyre”,- deklaroi kryetari i Këshillit të Prokurorëve Publikë, Petar Anevski.
Sipas Ligjit për prokurorë publikë, mendimi duhet të kthehet në Qeveri dhe më pas lënda për shkarkim të dorëzohet në Kuvend. Sipas procedurës, Kuvendi duhet të shkarkojë kryeprokurorin me shumicë të thjeshtë prej 61 votave, ndërsa më pas të shpall konkurs për përzgjedhjen e prokurorit të ri. Pas dy thirrjeve të kryeministrit, Zoran Zaev, për dorëheqjen e kryeprokurorit, Marko Zvrlevski, Qeveria më 6 qershor inicioi procedurë për shkarkimin e tij për shkak të kryerjes së funksionit në mënyrë të paligjshme dhe jo në kohë.
FLORIJE BELULI-KAMBERI
