Botë

Londër, zjarri shkrumbon ndërtesën 24 katëshe, 6 të vdekur

14.06.2017 12:52

Të vdekur dhe dhjetëra të lënduar është bilanci i zjarrit që përfshiu ndërtesën gjigante 24 katëshe në perëndim të Londrës...

Të vdekur dhe dhjetëra të lënduar është bilanci i zjarrit që përfshiu ndërtesën gjigante 24 katëshe në perëndim të Londrës, e që pritet të rëndohet deri në përfundim të operacioneve të shpëtimit, që mund të zgjasin. Rreth 200 zjarrfikës me 40 automjete zjarrfikëse u përfshinë në luftën me stuhinë e zjarrtë që përfshiu bllokun e banesave ku jetonin  qindra persona.
 
Dëshmitarët okularë thanë se kishin parë drita, që mendohet të kenë qenë telefona celularë ose pishtarë të ndezur në krye të bllokut të banesave. Të tjerë thonë se banorët, të cilët mendohet të jenë të bllokuar brenda, kishin dalë në dritaret e tyre.
 
Njerëzit e tmerruar sapo kanë konstatuar se ndërtesa ka marrë flakë, kanë vrapuar për të dalë jashtë.
 
“Isha në shtëpinë e të dashurës sime në gjumë. Dëgjuam goditje në derë dhe dola të shoh se çfarë po ndodh. Dëgjova fqinjët që ulërinin: zjarr, zjarr! Të gjithë vraponin nga shkallët me zjarr. Në fillim mendova se është më mirë të rrish brenda, pasi shkallët ishin plot tym. Por, fqinjët ulërinin: dilni menjëherë jashtë! Dhe ne dolëm. Sapo dolëm nga dera jashtë, zjarri shpërtheu në kuzhinën tonë, pra mund të them se fati na ndihmoi”,- deklaroi banori, David Benjamin.
 
“Isha në mes të shkallëve kur zjarri filloi të ngjitej lart e më lart, derisa përfshiu të gjithë ndërtesën. Brenda mbeti një shoqe e imja bashkë me familjen dhe me gjithë fëmijë. Nuk e dimë fatin e tyre. Ndihma erdhi shpejt, por ata hodhën ujë deri në katin e tretë, më lart nuk arrinin dot. Njerëzit ulërinin, donin ndihmë, por nuk kishte shans t’u ndihmohej”,- theksoi një banore.
 
“Ndodhi diku nga ora një e mëngjesit. U zgjova nga gjumi se ndjeva një erë plastike që digjej. I kontrollova dhomat po nuk pashë gjë dhe hapa dritaren që të hynte ajër i pastër, por aty pashë se çfarë po ndodhte. Ishte si film horror”,- u shpreh banorja, Mickey.
 
Kryebashkiaku i Londrës, Sadiq Khan, e cilësoi ngjarjen një “incident të madh”. Shkaku i këtij incidenti është ende i panjohur dhe është ende herët të spekulohet. Godina i ishte nënshtruar një rinovimi dyvjeçar që përfundoi vitin e kaluar. Grupi që zotëron kullën kishte lajmëruar se blloku përbënte rrezik për zjarr dhe banorët kishin paralajmëruar se eksesi në vend për mjete të emergjencës ishte “shumë i kufizuar”.
 
BELINDA KOKA-ADEMI