Botë

Kriza e emigrantëve, BE ultimatum Polonisë, Çekisë dhe Hungarisë

14.06.2017 13:45

Bashkimi Europian paralajmëron Poloninë, Çekinë dhe Hungarinë se do të përballen me sanksione...

Bashkimi Europian paralajmëron Poloninë, Çekinë dhe Hungarinë se do të përballen me sanksione të rënda nëse vijojnë të mos zbatojnë skemën e Brukselit për rishpërndarjen e refugjatëve, të ardhur me fluksin masiv të vitit 2015.
 
Komisioneri eruopian për çështjet e migracionit,  Dimitris Avramopulos, madje u dha një  ultimatum 24 orësh tre vendeve për të pranuar strehimin e refugjatëve, sipas kuotave të përcaktuara 2 vite më parë nga Komisioni Europian.
 
Sipas planit të BE-së, Polonisë iu kërkua të strehonte 6.200 refugjatë, Çekisë 2.600 dhe Hungarisë 1.294, për të çliruar kështu Greqinë dhe Italinë nga barra e rëndë e pritjes së gati 1 milion refugjatëve e emigrantëve, duke qenë edhe porta më e afërt europiane për rajonet nga ata vinin. Por, Polonia, Çekia e Hungaria i refuzuan kuotat, duke i konsideruar si jorealiste dhe se nuk i kanë  kapacitetet e duhura për të pritur refugjatët, dyndja e të cilëve, sipas tyre, përbënte kërcënim për sigurinë kombëtare dhe e shkatërronte qytetërimin e krishterë.
 
Paralajmëruan gjithashtu në atë kohë se do ndërmerrnin veprime ligjore kundër vendimit të Komisionit Europian. Nga 160 mijë, deri më tani mes vendeve europiane janë shpërndarë jo më shumë se 25 mijë, kur afati përfundimtar i përmbushjes së këtij plani është shtatori i këtij viti.