Maqedoni
Përmbytjet në Poroj, imediate pastrimi i fushave dhe ura
14.06.2017 15:16
Vërshimet në Poroj ende kanë lënë pas probleme të shumta...

Problemi kryesor ende mbeten fushat, përmbytja e të cilave ka dëmtuar rëndë banorët që ekzistencën e fitojnë pikërisht nga prodhimet bujqësore.
Kreu i Bashkësisë Lokale të Porojit apelon që sa më shpejt të pastrohet kanali i ujësjellësit, pasi, sipas tij, pas lumit, ai është problem kryesor që përmbyten fushat.
“Pikë më kritike e kemi poshtë, kanalin. Po na përmbyt përsëri tokat bujqësore. Tani sa bisedova me një ndërmarrje në Gostivar, e paska qendrën. Ata ende nuk janë të informuar dhe ai kanal që disa vite nuk pastrohet, veç këtë që shohim pas nga përmbytjet prej lumit dhe duken, përmbytjet janë shumë të mëdha, vazhdohet të punohet me rrjedhën e ujit, ende nuk ka hyrë aty ku e ka vendin”,- deklaroi kryetari i Bashkësisë Lokale – Poroj, Sulejman Ramdani.
“Dëmi ka qenë shumë i madh, shihet ku është rrjedhja e lumit, deri këtu, e ka shkatërruar e gjithë fushën. Dëmin e kemi paraqitur në komunë, do ta bëjnë vlerësimin e dëmit, të shohim si do ta bëjnë atë vlerësim, por këtu shihet se 100% janë të mbytura kulturat bujqësore, janë mbyt, ka speca, domate, e gjithë kulturave është shkatërruar”,- u shpreh një banor.
Rruga Tetovë – Jazhincë është zhbllokuar ditë më parë, por ende mbetet rrezik për të kaluar mbi urë, pasi ajo është dëmtuar tej mase nga vërshimet.
“Punojmë në tre pika kryesore, pika e parë është pika tek fushat, pjesa e dytë tek pjesa e urës së drurit, që duhet ta bëjë Ministria e Mbrojtjes, dhe ajo kryesorja është tek ura që lidh vendkalimin kufitar Tetovë – Jazhincë. Rruga për momentin është e kalueshme, por vetëm për makinerinë e rëndë dje patëm organe kompetente të cilat vlerësuan se ura është shumë e dëmtuar nga gurët e mëdhenj”,- theksoi Arif Arifi nga Drejtoria për Shpëtim.
Prioritet tjetër i banorëve është edhe ndërtimi sa më i shpejtë i urës së drurit që është premtuar, pasi me ndërtimin e saj do të zhbllokohej komunikacioni që në këtë komunë është rënduar së tepërmi.
VISAR SADIKI
