Maqedoni
Dita Ndërkombëtare për Dhurimin e Gjakut, RM ndër vendet e rralla ku plotësohen nevojat
14.06.2017 15:41
Në Ditën Ndërkombëtare për Dhurim të Gjakut, Kryqi i Kuq zhvilloi edhe sivjet aktivitete për sigurimin e gjakut dhe për rritjen e vetëdijes në vendin tonë....

Aktivitetet mbahen me moton "Mos prit të ndodh një fatkeqësi! Dhuro gjak! Dhuro tani! Dhuro shpesh!". Në ngjarje ishte i pranishëm edhe ekipi i Institutit për Mjekësi të Transfuzionit.
“Çdo ditë punojmë për të rritur vetëdijen që njerëzit të dhurojnë këtë lëngë të shtrenjtë, i cili nuk mund të blihet në asnjë barnatore, por duhet ta dhurojmë mes njëri-tjetrit. Pra, gjatë vitit ne duhet të kemi 365 ditë aksione për dhurimin e gjakut. Në Maqedoni, 18.000 njerëz dhurojnë gjak gjatë vitit dhe gjithmonë arrijmë ta realizojmë planin për grumbullimin e 55 mijë njësive të gjakut”,- deklaroi Suzana Tuneva - Bonevska nga Kryqi i Kuq.
Nga Kryqi i Kuqi thonë se duhet punuar vazhdimisht që rezervat e gjakut në Institutin e Transfuziologjisë të jenë deri në atë nivel sa t’i përmbushin nevojat e të gjitha intervenimeve, sepse nevojë për gjak ka në çdo kohë.
“Maqedonia është një nga vendet e rralla që arrin t’i përmbushë nevojat për shëndetësinë publike dhe private. Mund të krenohemi që kemi sasi të mjaftueshme të gjakut, që nënkupton se pacienti nuk ka nevojë të presë për gjak dhe me këtë mund t’ia dalim me të gjithë pacientët në Maqedoni”,- u shpreh drejtori në Institutin për Mjekësi të Transfuzionit, Emilia Velkova.
Në kuadër të Kryqit të Kuq, ekziston edhe punkt ditor për dhurimin e gjakut, i cili punon çdo ditë prej orës 8:00 deri në orën 16:00.
FARIJE DAUTI-BAKIJU
