Maqedoni
Kopshtet e reja në vendbanimet shqiptare nevojë imediate, ndikojnë në suksesin në shkollë
14.06.2017 16:11
Arsimi parashkollor ndikon dukshëm në rritjen e cilësisë së arsimit në nivelet tjera...

Fëmijët që frekuentojnë kopshtet tregojnë rezultate më të mira në shkollimin e mëtejshëm në krahasim me fëmijët e tjerë, tregojnë rezultatet e hulumtimit të Qendrës për Politikë Arsimore pranë Universitetit “Nënë Tereza” në bashkëpunim me Shkollën Fillore “Hasan Prishtina” dhe Kopshtin “Fidani”.
“Fëmijët të cilët shkojnë në kopshte janë më të suksesshëm, më të zhdërvjellët në krahasim me fëmijët e tjerë që nuk shkojnë në kopshte”,- deklaroi Elizabeta Bajrami - Ollogu nga Universiteti “Nënë Tereza”.
Fëmijët shqiptarë frekuentojnë arsimin parashkollor më pak se 10%. Po ashtu kopshtet ekzistuese janë të mbingarkuara. Por, MASh thotë se hapja e kopshteve të reja nuk është nën ingerencat e tyre.
“Është në ingerecat e Ministrisë për Punë dhe Politikë Sociale, ndërsa kompetenca përveç saj ka edhe Ministria e Arsimit dhe Vetëqeverisjes Lokale. Ministria e Arsimit ka të bëjë vetëm me pjesën e programeve dhe këshillimeve nga ana e këshilltarëve për zhvillimin e arsimit”,- tha këshilltarja në MASh, Naziktere Sulejmani.
Mungesa e kopshteve në vendbanimet shqiptare bën që të tejkalohet çdo vit numri i fëmijëve që regjistrohen dhe të mbingarkohet puna e kuadrit ekzistues. Po ashtu numër i madh i nxënësve është evident edhe në klasë të parë dhe në shumë shkolla mungojnë hapësirat adekuate.
“Grupmosha 2 dhe 3 vjeçare duhet të kemi deri në 15 fëmijë, ne e tejkalojmë në 20-25 fëmijë. Grupmosha 5-6 vjet është maksimum 30 fëmijë, ne e tejkalojmë 37 deri në 40”,- theksoi drejtoresha e Kopshtit “Fidani”, Rabije Loku.
“Hapësirat e shkollës nuk na lejojnë të bëjmë zgjerimin e numrit të paraleleve në shkollën tonë, momentalisht ndoshta e zgjidhim problemin për klasën e parë ose të dytë, por nëse mendojmë më afatgjatë kur këta fëmijë rriten, në klasën e gjashtë apo të nëntë, nuk do kemi hapësira që të zhvillohet mësimi si duhet”,- u shpreh drejtoresha e Sh. F. “Hasan Prishtina”, Luljeta Qerimi.
Problemet e tjera që kërkojnë zgjidhje është edhe infrastruktura e vjetruar, aftësimi i kuadrit si dhe hapja e kopshteve të reja. Rektori i Universitetit “Nënë Tereza”, Aziz Pollozhani, universitet që është pjesë kryesore e këtij hulumtimi, thotë se UNSh gjithnjë do të vihet në funksion të problemeve sociale.
FLUTURA LATIFI
