Maqedoni

Gratë në tregun e punës, ekspertët: Mungojnë, kohën ua merr amvisëria e papaguar

14.06.2017 16:42

Punët e shtëpisë, kujdesja për fëmijët dhe për të moshuarit në familje, pamundësojnë shumë gra të bëhen pjesë e tregut të punës....

Ekspertët në studimin e barazisë gjinore në tregun e punës thonë se arsyeja kryesore për pasivitetin e grave në fakt është puna e tyre e papaguar si amvise.
 
“Hulumtimet kanë treguar se ekziston një ndarje e roleve në shtëpi, edhe vetë bindja e grave se ato duhet të jenë amvise, të kujdesen për fëmijët, për më të moshuarit, e cila më pas kthehet në orët aktuale, ato të shpenzuara në atë aktivitet. Kjo është e padëshirueshme në tregun e punës për shkak se ato janë krejtësisht jashtë tregut”,- deklaroi eksperti, Marjan Petreski.
 
“Gratë punojnë tre herë më shumë se burrat pa pagesë në punët e shtëpisë, ato punojnë 281 minuta, ndërsa burrat 87 minuta. Numri i papunësisë në të dy gjinitë është i lartë, por vetëm  43% e grave janë pjesë e tregut të punës. Gjithashtu ne përballemi me një ndryshim të madh të pagesës midis burrave dhe grave, të cilat  fitojnë 19% më pak se burrat për të njëjtën punë”,- tha përfaqësuesja e UNDP-së, Luiza Vinton.
 
Kryeministri Zaev premtoi se qeveria do të ndryshojë këtë gjendje dhe do të bëjë përpjekje që përqindja e grave në tregun e punës të rritet. 
 
“Duhet të kalohet kjo gjendje ku gratë qëndrojnë në shtëpi pa para dhe në punë për shumë pak para, të lodhura dhe të pakoncentruara, që nuk e japin maksimumin e tyre. Duhet të ketë përfshirje më të madhe të grave në tregun e punës  si dhe ndarje të  përgjegjësive të kujdesit mes burrave dhe grave në shtëpi për fëmijët dhe anëtarët e familjes. E gjithë kjo do të arrihet me atë që shteti do të jetë një partner social i familjes”,- theksoi kryeministri i Maqedonisë, Zoran Zaev.
 
Qeveria e re planifikon të hapë punëtori me dy ndërrime, si dhe hapjen e kopshteve në vendet rurale, që do të ndihmonte gratë të paktën në përkujdesjen me fëmijët, duke u dhënë më shumë kohë të lirë për të punuar. 
 
REJHANE BUSHI-METAJ