Maqedoni
PE miraton rezolutën për Maqedoninë, pret implementimin e “Përzhinës” dhe reformat
14.06.2017 17:29
Parlamenti Europian me 503 vota pro, 113 kundër dhe 45 abstenime e miratoi rezolutën e eurodeputetit slloven, Ivo Vajgëll, pas raportit të hartuar nga Komisionit Europian në vitin 2016...

Me këtë rezolutë eurodeputetët sërish sugjerojnë çeljen e negociatave për anëtarësimin e Maqedonisë në Bashkimin Europian. PE përshëndet formimin e qeverisë së re dhe u apelon partive politike të kthejnë besimin e qytetarëve në institucionet e sistemit.
Gjithashtu i bëhet thirrje qeverisë së re të vazhdojë përpjekjet për integrim në BE dhe të përqendrohet thellësisht në reformat e pritshme në drejtim të sundimit të ligjit, luftës kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar, të drejtave themelore të qytetarëve, reformave në media dhe marrëdhënieve dypalëshe.
“Sapo të arrihet progres i dukshëm në implementimin e Marrëveshjes së Përzhinës dhe në prioritetet e ardhshme reformuese, Parlamenti Europian do të mbështesë hapjen e bisedimeve paraqasëse të vendit në BE”,- qëndron në dokument.
Duke u fokusuar në 2016-ën, PE shprehu keqardhje për ngecjen e reformave në gjyqësor, sidomos për përzierjen e politikës në emërimin e gjykatësve dhe prokurorëve. Raportuesi Vajgël potencoi se PE e noton pozitivisht progresin e Maqedonisë në rrugën eurointegruese dhe përkushtimin e qeverisë së re në reformat e rëndësishme. Maqedonia duhet tani të përshpejtojë procesin e miratimit të vlerave dhe principeve të BE-së si dhe të ndikojë në stabilitetin Ballkanik, tha Vajgël.
Rezoluta ka pësuar ndryshime të vogla, të cilat kanë pasur parasysh zhvillimin e ngjarjeve në Maqedoni, gjithsej janë parashtruar 40 amendamente prej të cilave 23 janë pranuar. Miratimi i rezolutës është shtyrë disa herë pas debatit paraprak që u zhvillua në shkurt në Komitetin për punë të jashtme për shkak të krizës politike. Me zgjedhjen e kryetarit të Kuvendit dhe Qeverisë së re, Parlamenti Europian sërish vazhdoi me procedurat për miratimin e rezolutës të përgatitur nga raportuesi për Maqedoninë, Ivo Vajgël.
NAIM RAMADANI
