Maqedoni
Dimitrov në Athinë: RM në NATO dhe BE, në interes edhe të Greqisë
14.06.2017 17:37
Në takimin e parë zyrtar të mbajtur në Athinë, ministrat e jashtëm, ai i Maqedonisë dhe Greqisë, Dimitrov dhe Kocias...

Në takimin e parë zyrtar të mbajtur në Athinë, ministrat e jashtëm, ai i Maqedonisë dhe Greqisë, Dimitrov dhe Kocias, përveç që shprehën optimizmin për përmirësimin e raporteve ndërfqinjësore, ripërsëritën qëndrimet zyrtare rreth avancimit të proceseve eurointegruese të Maqedonisë.
Ministri Dimitrov theksoi se Maqedonia kërkon mbështetje të plotë nga pala greke, ndërsa, sipas ministrit Kocias, duhet të bëhet fillimisht kompromisi për emrin dhe më pas integrimi euroatlantik i Maqedonisë.
“Përmes hapave konkretë, dua të ndërtojmë një pamje të re për rajonin. Ne do ta realizojmë pjesën tonë. Unë do të vazhdoj të argumentoj jo vetëm deklarativisht, por dhe me vepër, se është në interes të fqinjit tonë që ne të jemi në demokraci europiane, e cila do të hyjë në NATO dhe do të fillojë negociatat me BE-në. Jam i bindur se hapja e rrugës do të kontribuojë në përmbylljen e çështjes kyçe. Nuk jam naiv, ky është takimi ynë i parë, procesi nuk është aspak i lehtë. Ishim të palëvizshëm për disa vite. Nuk kemi agjenda të fshehta dhe duam të jemi miq me shtetin tuaj”,- deklaroi ministri i Jashtëm i Maqedonisë, Nikolla Dimitrov.
Ministri i Jashtëm grek, Nikos Kocias, demantoi faktin se kriza në Maqedoni u shkaktua si pasojë e vendimit të Bukureshtit në 2008-ën dhe shtoi se qeveria e kaluar aspak nuk ka dhënë kontribut për arritjen e kompromisit.
“Fqinji ynë dëshiron të jetë anëtar i më shumë organizatave dhe ne jemi të hapur, t’i përkrahim përpjekjet në këtë drejtim, por fillimisht duhet të zgjidhet kontesti me emrin. Ky është kusht për të punuar për kompromisin e pranueshëm për të dyja palët. Greqia dëshiron, edhe në të kaluarën ka propozuar zgjidhje për kontestin e hapur shumëvjeçar, por gjithsesi marrëdhëniet tona duhet të avancohen. Problemin e emrit, i cili është i karakterit gjeografik, Shkupi zyrtar e shndërroi në problem me identitetin. Nëse IRJM dëshiron ashtu siç dëshirojmë edhe ne, që sa më shpejt të jetë pjesë e NATO-s, Aleancës dhe e familjes europiane, kjo mund të realizohet vetëm përmes gjetjes së kompromisit për emrin në Kombet e Bashkuara dhe më pas kjo marrëveshje e re të publikohet në Bruksel”,- theksoi ministri i Jashtëm i Greqisë, Nikos Kotzsias.
Kryeministri Zaev, ndërkohë, para takimit të dy shefave të diplomacisë në Athinë, theksoi se çdo takim është një shans për të gjetur një mënyrë për të zhbllokuar përparimin tonë drejt integrimit të plotë në NATO dhe në Bashkimin Europian.
“Jam i vetëdijshëm se secili takim që ka motive miqësore mund të afrojë qëndrimet për të gjetur një zgjidhje, që vërtetë ky vend i vogël në Ballkan pas aq shumë vitesh të lëvizë përpara. Besoj se çdo gjë që është në interes të të dyja vendeve në fushën e punëve të jashtme do të hapet si temë e bisedës. Nga këto takime pres vetëm perspektiva pozitive”,- u shpreh kryeministri, Zoran Zaev.
Në pyetjen për irredentizmin për të cilin flitet në Greqi, ministri Dimitrov tha se ai personalisht nuk u jep rëndësi skulpturave dhe emrave. Kjo, sipas ministrit Dimitrov, jo vetëm që ndikoi në dëmtimin e marrëdhënieve greko-maqedonase, por ishte argument pro atyre që nuk dëshironin avancimin e marrëdhënieve mes dy vendeve.
BELINDA KOKA-ADEMI
