Maqedoni
Ministrat në Strugë, kërkohet zgjidhje afatgjate për deponinë e egër
14.06.2017 17:41
Ministri i Ekologjisë, Sadulla Duraku, dhe ministrat pa resor, Zoran Shapuriq dhe Ramiz Merko...

Ministri i Ekologjisë, Sadulla Duraku, dhe ministrat pa resor, Zoran Shapuriq dhe Ramiz Merko, vizituan Strugën për të diskutuar çështjen e pazgjidhur me deponinë e egër në këtë qytet, që është kthyer në shqetësim madhor për struganët. Për deponinë duhet gjetur një zgjidhje afatgjate dhe u vendos që puna t’i kalohet ekipeve të ekspertëve të cilët duhet të propozojnë dhe dorëzojnë në qeveri masat që duhen ndërmarrë.
“Të gjitha deponitë e egra në RM, ministri tani që ka ardhur nuk mund t’i rregullojë brenda një muaji, edhe kryetarët e komunave... Janë disa projekte regjionale, ku do të financohen me IPA fonde dhe deponitë e egra së shpejti do të jenë, me një afat për një vjet apo dy vjet do të mbyllen”,- tha ministri i Ekologjisë, Sadulla Duraku.
U. d. kryetar i komunës së Strugës, Mustafa Zabzuni, tha se është kërkuar ndihmë edhe nga komuna e Ohrit që të dërgohen mbeturinat në Bukovë, por e njëjta nuk e ka pranuar një gjë të tillë.
“Problemi është shumëdimensional, e para të shuhet momentalisht deponia, urgjentisht; E dyta, të konservohet deponi aparalel me shuarjen kur të shuhet zjarri; Dhe e treta, të kërkohet ndonjë zgjidhje afatshkurte”,- tha kryetari i komunës së Strugës, Mustafa Zabzuni.
Deponia e Strugës si rezultat i djegies së vazhdueshme dhe afërsisë me qytetin e Strugës, po krijon probleme të vazhdueshme ekologjike.
GYLTENE SINANI
