Maqedoni

Kuvendi zgjedh zëvendësministrat e rinj

14.06.2017 18:08

Kuvendi pritet të zgjedh zëv/ministrat e rinj. Propozimi që zgjedhja të vihet në rend dite në seancën e sotme fillimisht u kundërshtua nga VMRO-DPMNE...

Partia e Gruevskit konsideron se nuk e ka pasur kohën e mjaftueshme, që garanton Rregullorja e Kuvendit, për të shqyrtuar biografitë e kandidatëve për zëv/ministra. 
 
“Askush nuk mund t’u pengojë të votoni për zëv/ministrat, ashtu siç jeni dakorduar mes partive, por që ta bëni këtë sipas rregullores së Kuvendit duhet të kalojnë 10 ditë, që të ketë debat publik që qytetarët të kenë mundësi dhe kohë që të kuptojnë se kush është kandidati nga Manastiri, kush është kandidati nga PRSD, kush janë kandidatët e BDI-së, kush janë kandidatët e Aleancës. Ky shpejtim është shkelje e rregullores”,- tha Ilija Dimovski nga VMRO-DPMNE.
 
VMRO kërkoi që zgjedhja e zëv/ministrave të vihet si pikë e fundit në rend dite, për të siguruar më shumë kohë për shqyrtimin e materialeve dhe biografive të kandidatëve për zëv/ministra. Kërkesa u pranua nga shumica parlamentare dhe për këmbim rendi i ditës u mbështet edhe nga deputetët e VMRO-DPMNE-së. 
 
“Ne e mbështesim propozimin e opozitës. Konsiderojmë se është në interes të konstruktivitetin, qytetarëve të RM-së dhe asaj që kemi si intencë, prandaj kryetar ju njoftojmë se shumica parlamentare do të pajtohet me këtë propozim të opozitës, që pikën për zgjedhjen e zëv/ministrave do ta shqyrtojmë si pikë të fundit”,- deklaroi Tomisllav Tuntev nga LSDM.
 
Kryeministri, Zoran Zaev, i ka propozuar Kuvendit që të zgjedh për zëvendësministra këto kandidatë:
Për zëvendës të ministrit në Ministrinë e Mbrojtjes, dr. Bekim Maksutin; për zëvendës të ministrit në Ministrinë e Punëve të Brendshme - dr. Agim Nuhiun; për zëvendës të ministrit në Ministrinë e Drejtësisë - Oliver Ristovskin; për zëvendës të ministrit në Ministrinë e Punëve të Jashtme - dr. Arta Toçin; për zëvendës të ministrit në Ministrinë e Financave - dr. Shirete Elezin; për zëvendës të ministrit në Ministrinë e Ekonomisë m-r. Kire Naumovin; për zëvendës të ministrit në Ministrinë e Bujqësisë, Pylltarisë dhe Ekonomizimit me Ujërat - Vllaste Dimkoviqin; për zëvendës të ministrit në Ministrinë e Shëndetësisë - Goce Çakaroskin; për zëvendës të ministrit në Ministrinë e Arsimit dhe Shkencës - Visar Ganiun; për zëvendës të ministrit në Ministrinë e Punës dhe Politikës Sociale - Elmi Azirin; për zëvendës të ministrit në Ministrinë e Vetëadministrimit Lokal - m-r Dejan Pavleskin; për zëvendës të ministrit në Ministrinë e Kulturës, Vlladimir Llazovskin; për zëvendës të ministrit në Ministrinë e Shoqërisë Informatike dhe Administratë - Aleksandër Bajdevskin; për zëvendës të ministrit në Ministrinë e Transportit dhe Lidhjeve - m-r Remzi Mehmedin dhe për zëvendës të ministrit në Ministrinë e Ambientit dhe Planifikimit Hapësinor - m-r. Jani Makradulin. 
 
SHPËTIM NUREDINI