Maqedoni

Ahmeti – Palmer, prioritetet e BDI-së në Qeveri: Reformat, BE dhe NATO

14.06.2017 18:24

Sfidat e Qeverisë së re reformuese si dhe për prospektet integruese të vendit në NATO dhe BE...

Sfidat e Qeverisë së re reformuese si dhe për prospektet integruese të vendit në NATO dhe BE, ishin në qendër të takimit të sotëm të kreut të BDI-së, Ali Ahmetit, dhe drejtorit të Zyrës për çështje të Europës jugore dhe qendrore në Stejt Departamentin amerikan, Metju Palmer, dhe ambasadorit amerikan, Xhes Bejli.
 
Ahmeti njoftoi z. Palmer për prioritetet e BDI-së në Qeverinë e re, që përfshijnë zbatim të reformave në sundimin e së drejtës, zbatimin e përpiktë të Marrëveshjes së Ohrit, integrimin e menjëhershëm në NATO dhe hapjen e bisedimeve për anëtarësim në Bashkimin Europian bashkë me zhvillimin ekonomik, rritjen e standardit jetësor dhe hapjen e vendeve të reja të punës.
 
Ahmeti theksoi që anëtarësimi i menjëhershëm i Maqedonisë në NATO është më se i nevojshëm dhe BDI do të bëjë çmos që të arrihet ky synim. Çdo vonesë në këtë rrugëtim mundëson hapësirë për shtrirje të ideologjive të huaja, përplasje gjeopolitike dhe gjeostrategjike, tha Ahmeti, duke potencuar i përkushtimin e tij të palëkundur që këto synime të realizohen.
 
Lideri i BDI-së ftoi ShBA-të dhe komunitetin ndërkombëtar që të ndihmojnë Maqedoninë në tejkalimin e pengesave në drejtim të jetësimit të këtyre përcaktimeve.