Maqedoni

Gazetaria hulumtuese, Gligorovska: Institucionet, të mbyllura për mediat

15.06.2017 15:08

Institucionet shtetërore akoma janë të mbyllura për gazetarët...

Këta të fundit vazhdojnë të përballen me vështirësi gjatë sigurimit të informacioneve me karakter publik. Kështu ka rezultuar një studim që ka realizuar Fondacioni “Metamorfozis”, duke hulumtuar zbatimin e masës së paraburgimit në Maqedoni.
 
Koordinatorja e studimit, Violeta Gligorovska, thotë se ndjeshmëria e institucioneve me karakter publik nuk punon me nivelin e shpejtësisë gjatë komunikimit me publikun, ashtu siç e kërkojnë gazetarët. 
 
“Për fat të keq institucionet akoma janë të mbyllura për gazetarët. Kishim situatë kur kemi pritur 10 javë për një informacion. Kërkesa është dërguar më 14 shkurt, ndërsa kemi marrë përgjigje më 27 prill. Përkatësisht duhej që ta përdorim masën në përputhje me Ligjin për qasje deri te informacionet me karakter publik. Kur bëhet fjalë për informacione për persona që janë figura politike, atëherë është më e vështirë që të arrihet deri te informacioni”,- deklaroi koordinatorja e projektit, Viloleta Gligorovska.
 
Liria e shprehjes dhe e drejta për qasje deri te informacionet me karakter publik është e rregulluar me ligj, por që të funksionojnë aktet ligjore nevojitet vullnet politik, e që në Maqedoni nuk është në nivel të kënaqshëm, konsideron gazetari, Teofil Bllazhevski.
 
“Edhe ligji më i mirë nuk mund të funksionojë pa vullnet politik. Ne si shoqëri duhet të tentojmë në ligje më të mira, por jo vetëm në letër, por të jenë të kyçura në sistem për pavarësi të plotë të tre pushteteve: gjyqësorit, ekzekutivit dhe ligjvënësit. Vetëm në atë mënyrë çdo manifestim i ashpër i vullnetit politik do të zvogëlohej në minimum”,- theksoi gazetari, Teofil Bllazhevski.
 
Gjatë hulumtimit janë kërkuar informacione për shqiptimin e masës së paraburgimit, paraburgimit shtëpiak dhe masave të kujdesit për vitin 2016 nga Prokuroria Publike, Prokuroria Themelore Publike - Shkup, Prokuroria për Ndjekjen e Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit, si dhe nga Gjykata Themelore-Shkup. 
 
NAIM RAMADANI