Maqedoni
Akademia e Shkencave e Kosovës, bashkëpunim me UNT-në në Shkup
15.06.2017 15:52
Rektori i Universitetit “Nënë Tereza”, Azis Pollozhani, mirëpriti kryetarin e Akademisë së Shkencave dhe Arteve të Kosovës, Hivzi Islamin...

Rektori i Universitetit “Nënë Tereza”, Azis Pollozhani, mirëpriti kryetarin e Akademisë së Shkencave dhe Arteve të Kosovës, Hivzi Islamin, i cili vizitoi Universitetin dhe i dhuroi bibliotekës universitare libra të sferave të ndryshme shkencore. Sipas Islamit, ky universitet do të ketë përkrahje nga Akademia e Shkencave e Kosovës, sepse pajisja e tij me libra ndihmon në zhvillimin e sferës së hulumtimeve shkencore.
“Pa libra dhe pa revista nuk bëhen hulumtime shkencore, hapësira hulumtuese e do botimin internetin mund ta hapin në çdo moment prandaj vendosëm të sjellim kontogjent Universitetit për t’i përdorur studentët fushat që ne i kemi”,- theksoi kryetari i Akademisë së Shkencave dhe Arteve të Kosovës, Hivzi Islami.
Ndërkohë, rektori Pollozhani bëri të ditur se ky bashkëpunim ka për qëllim afirmimin e shkencës tek shqiptarët e të gjitha trojeve.
“Ky lloj bashkëpunimi gjithsesi do të vazhdojë me këtë akademi, por edhe me akademi tjera dhe do të jetë në funksion të afirmimit të shkencës të të arriturave shkencore në kuadër të shkencëtarëve shqiptarë dhe me këtë mendoj që studentët fitojnë mundësi të madhe për t’u pasuruar me njohuritë, traditën tonë, të gjitha sferat dhe të kenë model se si ne të zhvillohemi më tutje”,- deklaroi rektori i UNT-së, Aziz Pollozhani.
Ky Universitet do të dëshmojë qëllimin e hapjes së tij, vlerëson akademiku, Ali Aliu, i cili rezistencën për hapjen e UNT-së e vlerëson si të pakuptimtë.
“Themelimi i Universitetit është një nga gjestet më kuptimplota për zhvillimin e arsimit dhe shkencës dhe jam i habitur nga rezistenca dhe fushata që për mua ishte e pakuptimtë kundër universitetit të tillë”,- theksoi akademiku, Ali Aliu.
Rektori Pollozhani në shenjë mirënjohjeje i dhuroi kryetarit Islami portretin e Nënë Terezës dhe u zotua se bashkëpunimi mes të dyja institucioneve do të thellohet.
FLUTURA LATIFI-TOPOJANI
